Revolta në Tiranë, protestuesit zhvendosen në disa zona të kryeqytetit
🇬🇧 Read in EnglishProtesta kombëtare e 28 Nëntorit është shoqëruar me përplasje të forta mes qytetarëve dhe forcave të policisë, ndërsa pas disa orësh tensioni, protestuesit janë shpërndarë në disa pika të ndryshme të Tiranës.
Pas ndërhyrjeve të përsëritura të policisë në Sheshin “Skënderbej”, një pjesë e protestuesve është zhvendosur drejt zonës së Ushtarit të Panjohur, një pjesë tjetër drejt Bulevardit Zogu I, ndërsa të tjerë kanë vijuar lëvizjen në rrugët dhe hapësirat përreth sheshit.
Megjithatë, largimi i qytetarëve nga sheshi nuk ka sjellë qetësimin e situatës. Efektivët e policisë kanë vijuar përdorimin e ujit me presion për të shpërndarë protestuesit, ndërsa në terren janë shtuar edhe mjetet dhe forcat e angazhuara për menaxhimin e tubimit.
Më herët, policia kishte vënë në përdorim edhe autobotin e zi me ujë, krahas automjeteve të tjera ujëhedhëse, në përpjekje për të larguar turmën nga zonat ku po regjistroheshin incidentet.
Përplasjet janë shoqëruar me hedhje gurësh dhe molotovësh në drejtim të efektivëve të policisë. Nga ana tjetër, forcat e rendit kanë përdorur gaz lotsjellës për të zmbrapsur protestuesit dhe për të shpërndarë grumbullimet.
Situata është përshkallëzuar edhe pranë godinës së Ministrisë së Mjedisit, ku një grup protestuesish ka sulmuar ndërtesën dhe ka tentuar të futet brenda saj.
Nga incidentet e regjistruara deri në këto momente raportohet për disa persona të arrestuar dhe të plagosur. Mes të lënduarve ndodhet edhe një efektiv policie, për të cilin është kërkuar ndërhyrja e ambulancës.
Pavarësisht shpërndarjes së protestuesve në disa zona të kryeqytetit, situata vijon të mbetet e tensionuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



