Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, në një intervistë për SYRI TV me moderatoren Armela Ferko, ka dënuar dhunën e ushtruar nga policia ndaj qytetarëve dhe gazetarëve gjatë protestës së sotme.
Spahia u shpreh se deri tani forma e vetme e komunikimit të kësaj mazhorance me qytetarët ka mbetur dhuna.
Ai kërkoi që prokuroria dhe organet e hetimit të hetojnë deri në detaje përdorimin e mjeteve të luftës kundër qytetarëve shqiptarë, si dhe aktet e dhunës ekstreme të ushtruara nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe ato qeveritare.
‘Deri tani, forma e vetme e komunikimit të kësaj mazhorance me qytetarët ka mbetur dhuna.
Është e domosdoshme që strukturat e prokurorisë dhe organet e hetimit të hetojnë deri në detaje mënyrën e përdorimit të mjeteve të luftës kundër qytetarëve shqiptarë, si dhe aktet e dhunës ekstreme të ushtruara sot ndaj tyre nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe ato qeveritare.
Sigurisht, një zë jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i fuqishëm duhet të jetë edhe ai i shoqatave të gazetarëve, të cilat duhet të reagojnë fuqishëm ndaj dhunës barbare të ushtruar ndaj kolegëve të tyre dhe dëmtimeve serioze që ata kanë pësuar.
Po kështu, edhe çdo institucion që ka si detyrë funksionale mbikëqyrjen, hetimin dhe garantimin e ushtrimit të të drejtave themelore të njeriut, siç është e drejta për protestë, duhet të jetë sot i pranishëm jo vetëm në institucionet shëndetësore, si Spitali i Traumës dhe spitalet e tjera, por edhe pranë komisariateve të policisë, ku, sipas informacioneve tona, ndodhen të ndaluar shumë qytetarë, të cilët janë nën presionin dhe dhunën e policisë shqiptare.’, u shpreh Bardh Spahia në SYRI TV.
© SYRI.net