Zylfie Haklaj, pjesë e familjes Haklaj, ka reaguar përmes një mesazhi publik në prag të 28 Nëntorit, duke bërë thirrje për shmangien e dhunës dhe përplasjeve politike. Në reagimin e saj, ajo ka rikthyer në vëmendje ngjarjet e rënda të ndodhura në Tropojë në nëntor të vitit 2000.
Haklaj kujton 28 nëntorin e vitit 2000 si një plagë të rëndë për Tropojën, si dhe vrasjen e Ylli Haklajt më 3 dhjetor të po atij viti. Ajo thekson se drejtësia e vonuar nuk duhet të kthehet në drejtësi të harruar dhe se këto ngjarje vazhdojnë të kërkojnë drejtësi.
“Drejtësi e vonuar nuk duhet të bëhet kurrë drejtësi e harruar. 28 nëntori 2000 mbetet një plagë e rëndë për Tropojën. Ngjarjet e dhunshme të asaj dite dhe vrasja e Ylli Haklajt më 3 dhjetor 2000 janë pjesë e një historie që ende kërkon drejtësi. Sot, përballë retorikës së ashpër politike, lind frika se Shqipëria mund të përjetojë një tjetër nëntor të zi. Prandaj qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mos lejojnë që përplasjet politike të prodhojnë viktima të reja”, shprehet ajo.
Duke iu referuar klimës së tensionuar politike, Zylfie Haklaj shpreh shqetësimin për rrezikun e përsëritjes së tragjedive të së kaluarës. Ajo u bën apel qytetarëve të mos bëhen pjesë e konflikteve politike dhe të mos sakrifikojnë jetën për interesa pushteti.
“Mos u bëni mish për top të askujt”, është thirrja e saj, ndërsa në vijim përcjell edhe një mesazh për bashkimin dhe kujtesën historike:
“Mos u bëni mish për top të askujt. Mos lejoni që politika t’ju përçajë, t’ju vërë kundër njëri-tjetrit dhe t’ju marrë jetën për interesa pushteti. Ismail Qemali ishte një dhe i tillë do të mbetet. Flamuri ynë nuk është simbol i gjakut, por i lirisë dhe bashkimit. Historia përsëritet kur tragjeditë harrohen dhe drejtësia vonon. Tropoja nuk harron, Shqipëria nuk duhet të harrojë. 28 nëntori është ditë e flamurit, jo ditë e gjakut”, përfundon ajo.

