Gazetari Elkier Bushkolaj, ka reaguan për dhunën brutale të ushtruar nga Policia e Shtetit ndaj grupit të SYRI TV gjatë protestës së sotme në Tiranë, ku mbetën të dëmtuar ai dhe operatori Ardian Muka.
Në një reagim në rrjetet sociale, Bushkolaj rrëfen momentet e rënda pranë Kullave Binjake, ku, teksa po raportonin për protestën, autobotet e policisë i goditën me ujë me presion nga një distancë prej vetëm 15 metrash, duke i përplasur në trotuar.
Si pasojë e goditjes, operatori Ardian Muka pësoi dëmtime të rënda.
Por dhuna nuk përfundoi aty. Në momentin kur po i jepnin ndihmën e parë operatorit të plagosur, policia hodhi një bombolë gazi lotsjellës pranë tyre, duke i detyruar ta tërhiqnin Mukën në ambientet e Kullave Binjake për ta nxjerrë nga situata e rrezikut.
Bushkolaj bën të ditur se gjendja e kolegut të tij është e rëndë, ndërsa i uron atij shërim të shpejtë.
Reagimi i plotë i Elkier Bushkolajt:
Sot, bashkë me kolegun e SYRI TV, Ardian Muka dhe kolegë të tjerë të mediave, teksa po raportonim pranë Kullave Binjake, u përballëm me fuqinë e ujit me presion të autoboteve, të cilat i kishim jo më larg se 15 metra.
Sasia e madhe e ujit na përplasi në trotuar, ku kolegu Ardian Muka mori dëmtime të rënda. Në momentin që po i jepnim ndihmën e parë pranë trotuarit, policia na hodhi një bombolë gazi lotsjellës pranë dhe u detyruam që, në kushte emergjence, ta tërhiqnim Ardian Mukën brenda ambienteve të kullave.
Gjendja e kolegut tim është e rëndë dhe i uroj shërim të shpejtë, teksa në Spitalin e Traumës kishte edhe gazetarë të tjerë që kishin pësuar dëmtime të rënda, por edhe shumë qytetarë.
Sjellja e Policisë së Shtetit ndaj protestuesve dhe reporterëve sot ishte krejtësisht joproporcionale.
Është e tmerrshme indiferenca e AMP-së dhe e Prokurorisë përballë asaj që po ndodh në Tiranë.
© SYRI.net