Situata në protestën në kryeqytet vijon të jetë e tensionuar. Policia ka përdorur sërish gaz lotsjellës në shesh, duke detyruar disa protestues të largohen nga zona e përplasjes.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë disa protestues që janë futur në ambientet e një librarie pranë sheshit, pasi kanë shfaqur shqetësime për shkak të gazit lotsjellës.
Përdorimi i gazit ka shkaktuar vështirësi në frymëmarrje dhe shqetësime te personat e pranishëm në zonë, ndërsa disa prej tyre kanë kërkuar strehim në ambientet e bizneseve përreth.
Protesta është shoqëruar gjatë orëve të fundit me përplasje mes protestuesve dhe Policisë.
Protesta në kryeqytet vijon mes tensioneve dhe incidenteve, ndërsa protestuesit kanë hedhur sende në drejtim të autobotit të Policisë dhe kanë thyer edhe xhamat e godinës së Bashkisë së Tiranës.
Gjatë përplasjeve, protestuesit kanë brohoritur “Poshtë diktatura”, ndërsa situata në zonën pranë Bashkisë është tensionuar më tej.
Nga ana tjetër, Policia ka përdorur autobotin me ujë dhe gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë turmën dhe për të menaxhuar situatën.
Protesta është shoqëruar gjatë orëve të fundit edhe me hedhje molotovësh në drejtim të institucioneve, si dhe me raportime për protestues të lënduar.
Ngjarjet:
Protesta e opozitës në Tiranë ka nisur me tensione, pasi qytetarët e mbledhur në sheshin “Skënderbej” kanë hedhur kapsollat e para.
Tensionet u zhvendosën para Kryeministrisë, ku protestuesit marshuan dhe u stacionuan. Në këto momente, ata kanë nisur të hedhin gurë dhe “breshëri” bombash molotov në drejtim të policisë, ndërsa kjo e fundit është përgjigjur me ujë me presion dhe gaz lotsjellës.
Një protestues nuk është ndjerë mirë, dhe është transportuar në spital me ambulancë.
Pamjet tregojnë një shesh të mbushur me tym, ujë dhe shpërthime molotovi.
Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka bërë të ditur bilancin paraprak të të lënduarve gjatë protestës së sotme, deri në orën 15:00.
Sipas informacioneve nga strukturat spitalore, janë 19 të lënduar, mes tyre 6 policë, 4 gazetarë dhe 9 protestues
Vijon prej disa orësh protesta e cila nisi në orën 10:00 të mëngjesit dhe është shoqëruar me përplasje të vazhdueshme mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Një grup protestuesish kanë sulmuar godinën e Ministrisë së Bujqësisë, duke thyer derën e institucionit. Ndërkohë, protestuesit kanë sulmuar edhe selinë e Partisë Socialiste, ndërsa tubimi vijon të shoqërohet me akte dhune dhe dëmtime të pronës publike.
Pas përplasjeve me forcat e policisë edhe në sheshin “Skënderbej”, protestuesit janë shpërndarë në zona të ndryshme të kryeqytetit.
