Reuters i ka bërë jehonë protestës kundër qeverisë në Tiranë. Në një artikull së fundmi, Reuters shkruan se “Protestat antiqeveritare në Shqipëri janë përshkallëzuar në përplasje të dhunshme mes demonstruesve dhe Policisë”.

Më tej artikulli nga Reuters vijon “mijëra protestues, mes tyre edhe studentë, dolën të shtunën në rrugët e Tiranës, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Demonstruesit hodhën gurë dhe bomba molotov në drejtim të forcave të Policisë, ndërsa këto të fundit u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës, ujëhedhës dhe plumba gome, sipas raportimit.

Pakënaqësitë ndaj qeverisë lidhen kryesisht me akuzat për korrupsion, mungesën e vendeve të punës dhe problemet në sistemin arsimor. Protestat, që kanë nisur prej muajsh, janë zhvilluar në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, duke shënuar edhe episode dhune.

Sipas Reuters, gjatë tubimit të së shtunës, disa protestues të maskuar sulmuan me gurë një ndërtesë qeveritare dhe tentuan të hynin në zyrën e kryeministrit, por u penguan nga forcat e Policisë.

“Mjaft më; korrupsioni, varfëria, emigracioni”, u shpreh një prej protestuesve, e cituar nga agjencia ndërkombëtare e lajmeve.

Ndërkohë, një tjetër slogan që ra në sy gjatë protestës ishte “Shqipëria nuk është në shitje”, në referencë edhe të debatit për projektin luksoz bregdetar të mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.

Qeveria e Edi Ramës ka mohuar akuzat për korrupsion dhe ka bërë thirrje për dialog, ndërsa ka prezantuar edhe disa masa ekonomike për të lehtësuar barrën e familjeve në nevojë.

Reuters e cilëson situatën si një nga sfidat më të mëdha politike me të cilat është përballur Rama që prej ardhjes në pushtet në vitin 2013.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: