Komuna e Prishtinës ka caktuar një lokacion të ri për muralin kushtuar Nënë Terezës, duke e vendosur atë në fasadën e një ndërtese në pronësi të kryeqytetit, pranë shtatores së Zahir Pajazitit dhe përballë Hotelit “Grand”. Vendimi u mor pasi Policia e Kosovës, me kërkesë të Prokurorit të Shtetit, ndaloi punimet në objektin ku ndodhet Ministria e Ekonomisë.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Leotrim Retkoceri, ka konfirmuar për Gazetën Express se vendosja e mozaikut do të bëhet sot. Përurimi i muralit ishte planifikuar për këtë të shtunë, në Ditën e Flamurit Kombëtar.
Të lidhura
None found
Ndërkohë, komandanti i Policisë, Fatmir Balaj, e kishte informuar më herët kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, se Prokurori i Shtetit kishte urdhëruar pezullimin e punimeve deri në marrjen e një vendimi nga gjykata. Çështja lidhet me mosmarrëveshjen mes Komunës dhe Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike.
Rama nuk ishte pajtuar me këtë qëndrim, duke argumentuar se hapësirat publike dhe fasadat janë në përgjegjësi të kryeqytetit, ndërsa vendosja e muralit mbështetet në një vendim të Asamblesë Komunale. Ai kishte deklaruar gjithashtu se punimet do të vijonin edhe në rast se do të kishte arrestime.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është parë në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Pas marrjes së njoftimit zyrtar, Rama deklaroi se Komuna nuk do të ndërhyjë për të rifilluar punimet në lokacionin e parë, duke marrë parasysh se dita e sotme është festë kombëtare.
Ministria e Ekonomisë kishte bërë të ditur një ditë më parë se i ishte drejtuar Policisë, me pretendimin se Komuna kishte ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në ndërtesën e saj. Nga ana tjetër, Komuna këmbëngul se projekti ka bazë ligjore, pasi Kuvendi Komunal miratoi më 6 nëntor vendimin për subvencionimin e projektit kulturor “Nënë Tereza”, i cili parashikon vendosjen e muralit në sheshin “Zahir Pajaziti”.








