Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, i ka kërkuar Ukrainës të shmangë përhapjen e konfliktit me Rusinë në rajonin e Mesdheut, pas sulmeve të Kievit ndaj dy anijeve ruse në Libi.
Sipas njoftimit të ushtrisë ukrainase, operacioni i zhvilluar javën e kaluar shkaktoi dëme në një anije mallrash dhe fundosi anijen luftarake “Merkury”, një prej mjeteve më të reja detare të flotës ruse. Ukraina pretendon se anija e mallrave “MV Angara” përdorej nga Rusia për transportimin e armëve.
Pamjet e publikuara nga një dron tregojnë momentin kur ai godet anën e anijes “Merkury”, e cila ndodhej në një bazë detare në qytetin bregdetar të Bengazit, në Libi. Goditja u shoqërua me shpërthime të fuqishme.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e cilësoi operacionin “shembullor”, duke theksuar se objektivi ishte ushtria ruse dhe jo shteti libian.
Megjithatë, gjatë një bisede telefonike të premten me homologun e saj ukrainas, Meloni shprehu shqetësimin e Italisë për zhvillimet. Ajo i tha Zelenskyt se forcat ukrainase kishin “shkelur sovranitetin e Libisë” dhe se operacioni “rrezikon ta zgjerojë konfliktin në Mesdhe”.
Në deklaratën zyrtare për telefonatën thuhet se Meloni rikonfirmoi mbështetjen e Italisë për Ukrainën, por nënvizoi se kjo mbështetje “nuk mund të përkthehet në pranimin e nismave që vënë në rrezik sigurinë e Italisë dhe të rajonit”.
Nga ana tjetër, Zelensky reagoi përmes një postimi në platformën X, të publikuar vonë të premten. Ai bëri të ditur se gjatë bisedës dy liderët kishin diskutuar “çështjet me të cilat po merremi aktualisht”, duke shtuar se “është e rëndësishme që ta kuptojmë njëri-tjetrin”.
“Konfirmova se operacioni i fundit në Libi u krye pa koordinim paraprak me partnerët tanë evropianë”, deklaroi presidenti ukrainas.
Ai shtoi se kishte riafirmuar angazhimin e Ukrainës për të garantuar shkëmbimin e të gjithë informacionit të nevojshëm mes autoriteteve përkatëse, si dhe për të mbajtur komunikim të drejtpërdrejtë, të rregullt dhe efektiv.
Ndërkohë, lufta mes Ukrainës dhe Rusisë, e cila ka hyrë tashmë në vitin e saj të pestë, po shoqërohet gjithnjë e më shumë nga operacionet ajrore, me përdorimin e gjerë të dronëve dhe raketave. Pavarësisht intensifikimit të sulmeve, asnjëra nga palët nuk ka arritur deri më tani të sigurojë epërsi vendimtare në terren.

