Dy aeroplanë të "American Airlines" u përplasën me njëri-tjetrin në Aeroportin Kombëtar "Ronald Reagan" në Uashington, ndërsa po lëviznin në pistë për t'u nisur, të premten.

Njëri aeroplan "preku krahun" e tjetrit rreth orës 05:10 sipas orës lokale, njoftoi në një deklaratë Administrata Federale e Aviacionit (FAA). Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa FAA planifikon të kryejë hetime, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.


Të dy aeroplanët u kthyen në terminal dhe u hoqën nga shërbimi për t'u inspektuar nga ekipet e mirëmbajtjes, bëri të ditur "American Airlines".

Incidenti ndodhi në të njëjtin aeroport ku, në janar të vitit 2025, 67 persona humbën jetën në një përplasje tragjike midis një aeroplani pasagjerësh dhe një helikopteri të ushtrisë.

"Fluturimi 638 i 'American Airlines' preku krahun e fluturimit 2152 të së njëjtës kompani, ndërsa aeroplanët po lëviznin drejt pikës së nisjes", deklaroi FAA.

Në një regjistrim audio, dëgjohen kontrollorët e trafikut ajror duke thënë se dy aeroplanë "Boeing 737" janë përplasur në pistën e aeroportit.

Kontrollorët kërkuan ndërhyrje emergjente dhe dërgimin e zjarrfikësve pranë aeroplanëve, ndërsa më pas udhëzuan ekuipazhet që të ktheheshin në terminal.

Një pasagjer në fluturimin 2152, që kishte si destinacion aeroportin "O'Hare" në Çikago, i tha BBC-së se ndjeu një "tronditje të fortë" në anën e djathtë të aeroplanit, ndërsa ky po lëvizte në pistë para nisjes.

Aeroplani tjetër, fluturimi 638, ishte nisur për në aeroportin "Dallas-Fort Worth".

Pasagjeri shtoi se "aeroplani u tund mjaft dhunshëm" në momentin e goditjes dhe se dëgjoi njerëz që merrnin frymë me vështirësi nga frika brenda kabinës.

Ai e përshkroi situatën si "të tensionuar", por theksoi se askush nuk dukej të ishte lënduar.

Kur pa nga dritarja, ai vërejti një pjesë të aeroplanit në tokë.

Dukej si "maja e krahut", tha ai, duke shpjeguar se si krahu i aeroplanit tjetër ishte mbivendosur mbi krahun e aeroplanit ku ndodhej ai. /Telegrafi/