Disa orë protestë të dhunshme në Tiranë, Ministria e Shëndetësisë : 35 të lënduar u paraqitën në spitale pas përplasjeve mes protestuesve dhe policisë
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka publikuar bilancin e përditësuar të të lënduarve nga protesta e zhvilluar këtë të shtunë në Tiranë, duke bërë të ditur se deri në orën 18:00 në strukturat spitalore janë paraqitur gjithsej 35 persona për ndihmë mjekësore.
Sipas të dhënave paraprake, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 30 të lënduar.
Mes tyre janë 9 efektivë policie, dy prej të cilëve janë transferuar për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Po ashtu, në Spitalin e Traumës kanë marrë ndihmë mjekësore 12 protestues, ndërsa njëri prej tyre është larguar nga spitali me këshillën e mjekut. Në mesin e të lënduarve janë edhe 6 përfaqësues të medias, përfshirë një gazetare të huaj. Një prej tyre ka lënë spitalin pas marrjes së ndihmës së nevojshme mjekësore.
Bilanci përfshin edhe 3 kalimtarë të rastit, të cilët kanë mbetur të lënduar gjatë incidenteve të regjistruara në protestë.
Ministria bën me dije se aktualisht në Spitalin Universitar të Traumës vijojnë të marrin trajtim 26 pacientë, ndërsa gjendja shëndetësore e tyre paraqitet stabël.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur për ndihmë mjekësore 3 efektivë policie, një protestues dhe një punonjës sigurie.
Sipas autoriteteve shëndetësore, katër prej të lënduarve që janë paraqitur në QSUT janë larguar pasi kanë marrë trajtimin e nevojshëm.
Protesta e 28 Nëntorit në kryeqytet u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, ndërsa në disa momente u përdorën mjete piroteknike, bomba molotov, gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Ministria e Shëndetësisë thekson se të gjithë personat e lënduar që kanë marrë ndihmë mjekësore ndodhen në gjendje shëndetësore stabël.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




