Rasti “Kufiri 2” me 136 kilogramë marihuanë, Prokuroria kërkon paraburgim për tre të pandehur
Prokuroria Themelore në Ferizaj i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Ferizaj të caktojë masën e paraburgimit ndaj tre të pandehurve në rastin e koduar “Kufiri 2”, në të cilin u sekuestruan 136 kilogramë marihuanë.
Kërkesa për paraburgim, e bërë publike më 28 nëntor, përfshin A.N., shtetas i Maqedonisë së Veriut, si dhe T.E. dhe A.C., shtetas të Kosovës.
Sipas Prokurorisë, të pandehurit dyshohet se i kishin ndarë paraprakisht rolet për transportimin e lëndës narkotike.
A.N. dhe A.C. dyshohet se udhëtonin me një “VW Tiguan” përpara automjetit “Audi A6” për të vëzhguar rrugën. Sipas kërkesës së Prokurorisë, “Audi A6”, ku u gjet lënda narkotike, drejtohej nga T.E.
Prokuroria përmend edhe J.B., i cili dyshohet se lëvizte përpara automjeteve të tjera për të vëzhguar rrugën.
Sipas Prokurorisë, kur policia tentoi ta ndalonte, T.E. dyshohet se vazhdoi të ikte me shpejtësi të madhe, duke shkaktuar një aksident në të cilin u lënduan dy persona.
Pranë lokalit “Milenium”, automjeti doli jashtë kontrollit. Pas ndërhyrjes së policisë, T.E. u arrestua dhe lënda narkotike u gjet në automjet.
Prokuroria i dyshon të pandehurit për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve. T.E. dyshohet gjithashtu për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.















