Trajneri i Vllaznisë, Çaba Laszlo, ka pranuar se barazimi ishte rezultati më i drejtë për ndeshjen e sotme përballë Laçit.
“Është e vërtetë, ishim stabël, por mund ta humbnim ndeshjen apo ta fitonim. Dua t’i bëj komplimente Laçit, sepse përdorën shumë mirë mesfushën. Nuk fituam topin e dytë dhe përpara morëm shumë vendime të gabuara. Në fund, ky është futbolli dhe kushdo që do të shënonte golin e parë sot, mund të fitonte ndeshjen. Duhet të pranoj që, sipas mendimit tim, barazimi është rezultati më i drejtë.
Nuk është vetëm mungesa e Emanuel Obinës, por edhe e Drosit, sepse ai, si numër 6, në çdo ndeshje është lojtari që vrapon më shumë kilometra. Ka raste që nuk shihet, por statistikat nuk gënjejnë dhe, si një lojtar me ato tipare, na jep siguri në mesfushë. Është e vërtetë që na mungoi dinamika e Obinës, sidomos pas Balajt për topin e dytë, por jam në rregull gjithsesi. Nuk jam këtu për të kritikuar lojtarët publikisht. Çdo qenie njerëzore është një krijesë me emocione dhe logjikë. Por logjika dhe emocionet më tregojnë të njëjtën gjë. Në hapësirat e sulmit ne duhet të jemi më të saktë, më agresivë dhe shumë më të uritur për të finalizuar. Kishte raste që nuk i shfrytëzuam, sepse morëm vendime të gabuara përpara.
Kur erdha, kam parë një ekip shumë të brishtë. Duhet të mendoja shumë shpejt në stërvitje që të gjeja një zgjidhje për të mos pësuar gola, sepse çdo gol ndryshon dinamikën e ndeshjes. Edhe nëse kundërshtari është dy gola përpara dhe shënon një, ti ke një avantazh psikologjik. Për këtë arsye, në këtë kohë të shkurtër, jam krenar për djemtë, sepse e kuptojnë logjikën time. E di që aktualisht duhet të provoj të punoj më shumë nga ana e sulmit dhe krijimtarisë. Armiku im më i madh është koha. Ne duhet të luajmë në mesjavë dhe deri më 23 kemi shumë ndeshje. Pastaj kemi 10 ditë pushim dhe më pas nis përsëri kampionati dhe Kupa. Do të na duhet të punojmë në stërvitje pa miqësore. Disa herë më vjen keq për disa lojtarë që janë jashtë dhe nuk mund t’i provoj në miqësore. Kjo është situata dhe më e rëndësishmja është të mos flasim për problemet, por vetëm për zgjidhjet.
Jam krenar për ekipin, sepse ndoshta shumë njerëz mendojnë se nuk ishte rezultati më i mirë ndaj Laçit, por, me respekt për Laçin, ata bënë mjaft mirë. Për nivelin e kampionatit, ishte një ndeshje mjaft e mirë, që mund t’ia tregosh kujtdo”, tha Laszlo për RTSH pas ndeshjes.




