Mjekut të Spitalit të Mitrovicës dhe intelektualit, dr. Adem Ademi, i është dhënë lamtumira e fundit, 27 vjet pasi ishte zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Adem Ademi, i cili u gjet pas 27 vitesh kërkimesh, është varrosur me nderime në Varrezat e Dëshmorëve në Shipol të Mitrovicës.


Paraprakisht, në organizim të Komunës së Mitrovicës, është mbajtur një mbledhje komemorative, ku morën pjesë familjarë, kryetari i Komunës, ministra, deputetë dhe përfaqësues të tjerë institucionalë. Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe delegacioni i spitalit, i kryesuar nga ushtruesi i detyrës së drejtorit, dr. Leonard Muja.

Gjatë mbledhjes komemorative u përkujtua kontributi i dr. Ademit para dhe gjatë luftës, në shërbim të pacientëve, personave të helmuar, minatorëve, ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të plagosurve.

Në këtë ceremoni fjalë rasti mbajti edhe djali i tij, dr. Erblin Ademi, kirurg në të njëjtin spital, i cili ka ndjekur rrugën profesionale të babait.

Ai foli për kujtimet e fëmijërisë, mungesën e gjatë të të atit dhe vuajtjet e familjes gjatë gjithë këtyre viteve. Po ashtu, vlerësoi sakrificën e nënës së tij për rritjen, edukimin dhe shkollimin e fëmijëve, ndërsa falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe nderimin e babait të tij.

Në shenjë respekti për veprën dhe kontributin e dr. Ademit, u.d. drejtori i spitalit, dr. Leonard Muja, vendosi kurorë me lule pranë varrit të tij.

Dr. Adem Ademi ishte zhdukur gjatë luftës në Kosovë, ndërsa pas 27 vitesh kërkimesh, eshtrat e tij u gjetën, duke i mundësuar familjes që t'i japë lamtumirën e fundit.