Mediumi britanik: Zelensky ka kërkuar shkatërrimin e plotë të urës që lidh Rusinë me Krimenë

Ukraina po planifikon të shkatërrojë plotësisht urën kryesore që lidh Rusinë me Krimenë.
Kështu thuhet në një raport të mediave botërore, vetëm pak ditë pasi sulme të reja paralizuan urën që konsiderohej si një nga arritjet më të mëdha të Vladimir Putinit.
Sulmet e javës së kaluar shkatërruan pjesërisht këtë lidhje të rëndësishme me gadishullin e pushtuar dhe i dhanë vrull një fushate disamujore për të ndërprerë linjat e furnizimit të Moskës drejt fushëbetejave në Ukrainën jugore dhe lindore.
Dhe burime ushtarake i thanë gazetës "The Telegraph" se presidenti Volodymyr Zelensky, tashmë më i vendosur, u ka kërkuar komandantëve të tij që të shkatërrohet edhe pjesa e mbetur e Urës së Kerçit, përcjell Telegrafi.
"Presidenti dëshiron që ajo të shkatërrohet plotësisht", citohet të ketë thënë një burim për gazetën, duke shtuar se po përgatiten sulme të mëtejshme.
Javën e kaluar, Ukraina ndërmori një sërë goditjesh ndaj urës, duke shkatërruar segmentin qendror rrugor dhe duke dëmtuar shinat hekurudhore – një gjest simbolik besimi që e tronditi dukshëm Putinin.
Edhe pse lideri rus mohoi se ura përdorej për qëllime ushtarake, sulmet me raketa "Neptun" dëshmojnë aftësinë në rritje të Ukrainës për t'i bërë presion Moskës përmes teknologjisë së prodhuar vetë.
Sipas Emily Ferris nga instituti kërkimor "Royal United Services Institute" (RUSI), kjo ishte hera e parë që ura pësonte dëme kaq të vazhdueshme si pasojë e sulmeve ukrainase.
Ndërsa John Helin, një studiues në "Atlantic Council", u shpreh se sulmet tregojnë kapacitetin e Kievit për të goditur logjistikën ruse përtej Detit Azov dhe në zonat e pushtuara të juglindjes, pikërisht në kohën kur përparimi i Moskës ka filluar të ngadalësohet.
"Aspekti më i rëndësishëm këtu nuk është domosdoshmërisht shkatërrimi i vetë Urës së Krimesë, por presioni në rritje që Ukraina po ushtron mbi sistemin logjistik të Rusisë në tërësi", tha ai për agjencinë "Reuters".
Gjatë verës, Ukraina u përpoq ta izolonte Krimenë duke sulmuar cisterna të mëdha që transportonin karburant drejt gadishullit, gjë që shkaktoi mungesa të theksuara.
Disa muaj më parë, forcat ukrainase vunë në shënjestër linjat ruse të furnizimit përgjatë autostradës M-14, në jugun e pushtuar të vendit – një arterie kyçe që ushqen përpjekjet luftarake të Moskës në front.
Franz-Stefan Gady, një ekspert me bazë në Vjenë nga "Center for a New American Security", theksoi se, meqenëse Ura e Krimesë është pjesërisht jashtë funksionit, Rusisë nuk i mbeten shumë zgjidhje tjetër veçse ta orientojë trafikun përmes atij aksi rrugor që është bërë shpesh objektiv i sulmeve.
“Më shumë trafik do të thotë më shumë objektiva”, tha ai, duke shtuar se një “kolaps i papritur logjistik” mbetet gjithsesi i pamundur, pasi Rusia ka zhvilluar taktika për t’iu shmangur goditjeve.
Megjithatë, këto zhvillime tregojnë se si Ukraina ka ndryshuar qasjen e saj për të vënë nën presion forcat pushtuese dhe për ta bërë vazhdimin e luftës sa më të papranueshëm për Kremlinin.
Vetëm fundjavën e kaluar, Ukraina fundosi një korvetë detare ruse dhe një anije mallrash në Libia; kjo ndodhi një ditë pasi një dron goditi një anije mallrash të lidhur me ushtrinë ruse në Gjirin e Finlandës.
Sipas Gady, për Rusinë, humbja e mundësisë për të përdorur Urën e Krimesë do të ndikonte më shumë te logjistika ushtarake dhe civile në Krime, sesa te operacionet e Moskës në fushën e betejës në Ukrainën jugore. /Telegrafi/


































