Berisha njoftoi se të rinj, të reja dhe qytetarë nga diaspora zhvilluan një përballje të ashpër me, siç e quajti ai, “narkoregjimin”, duke përdorur të gjitha mjetet — tokësore dhe ajrore, snajperë, gaz dhe ujë të helmuar — por protestuesit nuk u mposhtën dhe mbajtën vendin, si akt nderimi për Skënderbeun. Sipas tij, Dita e Flamurit dhe e Kombit nuk ishte festuar kurrë si tani. Ai tha se në përballjen me regjimin më shumë se 21 protestues u detyruan të paraqiten në spital, dhjetëra të tjerë morën ndihmë jashtë spitalore, dhe akuzoi forcat e sigurisë se “theu kocka, theu gjymtyrë, çau kafka”, përdori breshëri plumbash, topa uji dhe mjete të tjera të dhunshme, të cilat sipas tij u drejtuan edhe kundër gazetarëve dhe operatorëve.
Ai u bëri thirrje me vendosmëri pjesëmarrësve të vazhdojnë të marrin pjesë në çdo protestë kundër Edi Ramës, duke theksuar se pjesëmarrja e tyre është vendimtare dhe se “protesta dhe vetëm protesta” është rruga e vetme për të larguar Ramën nga pushteti. Njëkohësisht, Berisha dënoi dhunën e ushtruar dhe paralajmëroi se do të mbahen përgjegjës ata që e kanë shkaktuar, duke përmendur drejtpërdrejt Ramën, “Demoni” dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilëve u tha se do t’u kërkohet llogari për plagosjet e personave paqësorë.
Në emër të Partisë Demokratike, Berisha dënoi gjithashtu sulmin ndaj selisë së PD-së, duke e përshkruar atë si një “sulm stalinist” dhe akuzuar Edvin Kristaqun Xhelatin që, sipas tij, dërgoi “narkobanditët” me arsenalin e tyre për të qëlluar selinë me topa uji, bombola gazi dhe spray. Ai mohoi që të ketë motiv tjetër përveç urrejtjes ndaj kundërshtarit politik dhe paralajmëroi Ramën të ndalojë sulmet ndaj PD-së, duke thënë se selia do të mbetet strehë për çdo protestues dhe se PD do të mbrojë dhe do t’i japë strehim protestuesve nga sulmet e regjimit.
