Protesta e thirrur më 28 Nëntor kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama u mbyll, pas disa orësh përplasjesh me policinë dhe përdorimit të gazit lotsjellës e ujit me presion.
Policia nisi rreth orës 19:30 aksionin përfundimtar për shpërndarjen e protestuesve, duke ndërhyrë në shesh dhe në zonat përreth. Pas ndërhyrjes, qytetarët u larguan gradualisht, duke shënuar përfundimin e tubimit.
Protesta e kësaj të shtune, e zhvilluar në Ditën e Flamurit, u shoqërua me episode të përsëritura tensioni. Gjatë orëve të pasdites, protestuesit hodhën molotovë, fishekzjarrë dhe sende të forta në drejtim të efektivëve dhe institucioneve, ndërsa policia iu përgjigj me gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë me presion.
Përplasjet u shtrinë në disa zona të kryeqytetit. Në sheshin përpara Kryeministrisë pati përballje mes protestuesve dhe forcave të rendit, ndërsa në zonën e Bashkisë së Tiranës u raportuan dëmtime të xhamave të godinës. Gjatë ndërhyrjeve policore pati edhe shoqërime të protestuesve, disa prej të cilëve u larguan me forcë nga zona e tubimit.
Bilanci i të lënduarve u rëndua gjatë protestës. Sipas të dhënave të bëra publike, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 39 persona të lënduar. Mes të prekurve nga incidentet pati protestues, efektivë policie dhe punonjës të medias.
Edhe gazetarët dhe operatorët që po ndiqnin nga afër zhvillimet u përballën me incidente gjatë raportimit.
Protestuesit kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama, duke akuzuar qeverinë për korrupsion dhe keqqeverisje.













