Në një intervistë për “Albanian Post”, trajneri shqiptar Ismet Munishi ka vlerësuar maksimalisht aftësitë e sulmuesit të Kombëtares, Ernest Muçi.
Munishi theksoi se ish-futbollisti i Tiranës ka potencialin për të qenë pjesë e Real Madridit, duke e cilësuar atë një talent të lindur.
Të lidhura
None found
“Muçi është një talent i lindur. Ai e ka dëshmuar fantazinë e tij në kampionatin polak, i cili është një kampionat shumë i vështirë. Edhe te Besiktasi ka paraqitur nivel të mirë, por më pas pati probleme me trajnerët”, u shpreh Munishi.
Trajneri shqiptar komentoi edhe lajmet për një transferim të mundshëm të futbollistit te Trabzonspor, si dhe interesimin e klubeve të mëdha.
“Ditët e fundit ka folur presidenti i Trabzonspor dhe ka deklaruar se lojtari do të transferohet. Kur mbërrijnë oferta të majme nga klubet e mëdha, një president nuk mund t’i refuzojë. Jam tepër i zhgënjyer që një lojtar si Muçi nuk luante kur trajner i Shqipërisë ishte Sylvinho”, deklaroi ai.
Munishi shtoi se e ka parashikuar prej kohësh të ardhmen e madhe të sulmuesit shqiptar.
“E kam thënë para 5 vitesh dhe e përsëris sërish: Ernest Muçi mund të luajë për Real Madrid. Kur përmend Realin, kam parasysh klubet më të mëdha të Europës. Ai i ka kapacitetet”, përfundoi trajneri.







