Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në 71-vjetorin e lindjes së komandantit legjendar.
Në këtë 28 Nëntor, Kurti ka vlerësuar rëndësinë historike të tri ngjarjeve që lidhen me këtë datë: shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e Adem Jasharit dhe daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Llaushë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë së Kosovës i ka lidhur këto momente historike me figurat e Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe Adem Jasharit.
“Në Prekaz, nga Vlora. 28 Nëntori nuk është vetëm Dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe e Flamurit Kombëtar, por edhe ditëlindja e kryekomandantit Adem Jashari dhe e shpalljes publike të UÇK-së në Llaushë nga Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi e Daut Haradinaj.
Kruja e Skënderbeut në mes të shekullit XV, Vlora e Ismail Qemalit dhe Drenica e Adem Jasharit, në fillim e në fund të shekullit XX, janë trashëgimia e lavdishme historike e 28 Nëntorit që na e ndriçon të ardhmen e këtij shekulli të ri”, shkruan Kurti.
Homazhet në Prekaz janë zhvilluar në kuadër të aktiviteteve për 28 Nëntorin, ku qytetarë dhe përfaqësues institucionesh kanë nderuar figurën e Adem Jasharit dhe sakrificën e familjes Jashari.
