E shtunë, 28 Nëntor 2026 Film TV deri në 23:00 Në vijim ora 23:00: Lajmet e Fundit dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kronikë

Kaos dhe përplasje në protestën e 28 Nëntorit! Molotovë, plumba gome dhe dhjetëra të lënduar, ja çfarë ndodhi në kryeqytet

Protesta e 28 Nëntorit, e organizuar në 114-vjetorin e Pavarësisë, u shndërrua në një ditë përplasjesh dhe dhune në rrugët e Tiranës. Ajo që nisi si një tubim me flamuj kuqezi në duar, përfundoi me molotovë, fishekzjarrë, gurë dhe përplasje të ashpra me forcat e Policisë.

Pas grumbullimit në orën 10:00 në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë. Pikërisht aty, situata doli jashtë kontrollit, kur një grup protestuesish të maskuar dhe të pajisur me shkopinj druri nisën të godisnin me gurë efektivët dhe godinën qeveritare.

Sulmet nuk u ndalën vetëm te Kryeministria. Molotovë dhe fishekzjarrë u hodhën në drejtim të uniformave blu, ndërsa u shënjestruan edhe Banka e Shqipërisë, Ministria e Bujqësisë dhe Teatri i Kukullave.

Ndërkohë që Policia u kundërpërgjigj, duke ndërhyrë me autobotë me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Nuk munguan as sulmet me plumba gome nga efektivët drejt protestuesve.

Pas afro tre orësh në bulevard, protestuesit u zhvendosën drejt sheshit “Skënderbej”, ku pati përplasje të tjera efektivë-protestues dhe sulme ndaj godinës së Bashkisë së Tiranës.

Gjatë ndjekjes së efektivëve, disa protestues janë parë të fshihen në një librari në sheshin “Skënderbej”, në përpjekje për t’i shpëtuar shoqërimeve.

Ndërkohë disa protestues, të ndarë në zona të ndryshme kanë djegur edhe koshat e mbeturinave në formë revolte.

Bilanci paraprak i protestës është 35 persona të lënduar, mes tyre 12 efektivë policie, 13 protestues, 6 përfaqësues të medias, një prej tyre shtetase e huaj, 3 kalimtarë dhe një punonjës sigurie. Ndërkohë, Policia ka shoqëruar edhe dhjetëra persona.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.