Kryeministri në largim i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë një lëshim të rëndësishëm në përpjekjet për krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar, duke u shprehur për herë të parë i gatshëm t’ia lërë drejtimin e qeverisë Gadi Eisenkotit, liderit të partisë Yashar, në kuadër të një marrëveshjeje për rotacion në postin e kryeministrit.
“Jam i gatshëm të pranoj që Gadi Eisenkot të bëhet i pari kryeministër dhe unë të marr detyrën e kryeministrit alternativ”, shkroi Netanyahu në një postim të gjatë në X.
Sipas tij, objektivi është të shmanget krijimi i një qeverie që nuk do të ishte në gjendje të përballonte kërcënimet ndaj sigurisë së Izraelit.
“Përballë seriozitetit të rrezikut ekzistencial dhe mundësisë së formimit të një qeverie të paaftë për ta përballuar atë, përgjegjësia ime si lider më detyron të lë mënjanë gjithçka, përfshirë edhe parimin e partisë së parë”, deklaroi Netanyahu.
Partia Likud e Netanyahut rezultoi më e votuara në zgjedhjet e fundit parlamentare, megjithëse koalicioni i tij, në letër, siguroi më pak mandate se ai i udhëhequr nga Eisenkot.
Netanyahu i bëri thirrje liderit të Yashar që të nisë menjëherë negociata “reale, të sinqerta dhe të përshpejtuara”, duke kërkuar gatishmëri të ndërsjellë për kompromise dhe lëshime.
Përgjigjja e Eisenkotit nuk ka vonuar. Ai e ka ftuar Netanyahun dhe ekipin e tij të ulen në tryezën e negociatave që këtë mbrëmje.
“Nëse Likud është gati për një unitet të vërtetë, jam i gatshëm të vlerësoj gjatë 24 orëve të ardhshme seriozitetin e kësaj kërkese. Ftoj Netanyahun dhe ekipin e tij që sonte në hotelin Dan Acadia në Herzliya për të zhvilluar negociata reale dhe të përshpejtuara mbi parimet themelore dhe çështjet politike, bazuar në propozimin e detajuar që i është dërguar Netanyahut që javën e kaluar dhe të cilit deri më tani nuk i është përgjigjur”, shkroi Eisenkot.
Mediat izraelite, duke cituar burime nga Likud, raportojnë se Netanyahu është i gatshëm ta takojë Eisenkotin këtë mbrëmje ose mëngjesin e së dielës.








Komente
Komento