Pas akteve vandale gjatë protestës së sotme, ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të bashkohen kundër dhunës, pavarësisht bindjeve politike apo qëndrimit ndaj qeverisë.
Në një mesazh në rrjetet sociale pas ngjarjeve të 28 Nëntorit në Tiranë, ai theksoi se siguria e qytetarëve, institucionet dhe e ardhmja e Shqipërisë janë interesa të përbashkëta që duhet t’i bashkojnë shqiptarët.
“Në 114-vjetorin e Pavarësisë, flamuri kombëtar na kujton se, përtej çdo dallimi politik, kemi një atdhe dhe një shtet të përbashkët”, u shpreh ministri.
Demo iu drejtua si qytetarëve që mbështesin qeverinë, ashtu edhe atyre që kërkojnë ndryshimin e saj, duke nënvizuar se dallimet politike duhet të shprehen përmes debatit dhe ballafaqimit të ideve. Sipas tij, dhuna dëmton të gjithë shoqërinë.
“Dhuna nuk është as alternativë politike dhe as mjet demokratik. Tirana është e të gjithëve. Institucionet janë të të gjithëve. Shqipëria është e të gjithëve”, deklaroi Demo.
Ai deklaroi se punonjësit e Policisë u sulmuan me gurë, shkopinj, molotovë dhe mjete piroteknike. Sipas tij, sulmet kishin prekur edhe institucione shtetërore e biznese private, ndërsa ishte dëmtuar prona publike. Ministri përmendi edhe Teatrin e Kukullave si një nga objektet që nuk i kishte shpëtuar dhunës.
Demo rikonfirmoi se Policia e Shtetit do të garantojë të drejtën për protestë paqësore dhe se reagimi i saj ndaj akteve të dhunës duhet të jetë proporcional. Ai theksoi se përgjegjësia për shkeljen e ligjit vlen njësoj për të gjithë.
“Kushdo që ka ushtruar dhunë dhe ka shkelur ligjin do të përballet me të. Kjo vlen për çdo qytetar dhe për çdo punonjës policie”, deklaroi ministri.
Në përmbyllje, Demo nënvizoi se anëtarësimi në Bashkimin Europian është një objektiv kombëtar dhe një aspiratë e brezave të shqiptarëve, që nuk i përket vetëm një partie apo një qeverie.
“Le të debatojmë për mënyrën se si duam ta zhvillojmë vendin. Le të kemi bindje dhe vizione të ndryshme, por të respektojmë njëri-tjetrin dhe të refuzojmë dhunën e shkatërrimin”, ishte thirrja e ministrit.
Socialistët dënuan aktet e dhunës gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë. Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, tha se shfaqja “Mbreti Luan”, e planifikuar për në orën 18:00, u anulua pasi protestuesit goditën dyert e Teatrit të Kukullave dhe hodhën molotov në ambientet e godinës. Gonxhja dënoi sulmin ndaj teatrit, duke thënë se dhuna meriton të dënohet.
“Sot, më 28 Nëntor në orën 18:00, Teatri i Kukullave duhej të hapte perden për “Mbretin Luan”. Të gjitha biletat ishin shitur, por pas dhunës së sotme, shfaqja e mbrëmjes u anulua sepse protestues të papërgjegjshëm goditën dyert e teatrit dhe hodhën molotov në ambientet e godinës.
NDALONI luftën me mullinjtë e erës, STOP djegies dhe shkatërrimit të Teatrit të Kukullave! Fëmijët aty ndjekin shfaqjet e tyre të dashura. BOLL trauma u janë shkaktuar, mos i lini pa skenën e tyre artistike, mos ua anulloni festat, planet, JETËN!
E drejta për të protestuar paqësisht garantohet, ndërsa dhuna e verbër ndaj institucioneve që u përkasin të gjithëve meriton dënim të qartë nga gjithësecili. Lutja e tyre më prekëse”, shkroi Gonxhja.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas episodeve të dhunës gjatë protestës në Bulevard, ku protestuesit hodhën molotovë dhe sende të forta në drejtim të policisë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Balla e cilëson protestën si një shfaqje të dhunës të organizuar nga mbështetës të Sali Berishës, duke dënuar sulmet ndaj institucioneve dhe Shqipërisë në Ditën e Pavarësisë.
“Ja dhe seksioni i dhunës së Saliut, përzierë me ndonjë gone e llapaqorrë, hyzmeqarë të turpshëm të duarve të huaja që sulmojnë Shqipërinë në Ditën e Pavarësisë. Turp!”, shkruan Balla.





Komente
Komento