LIBRAZHD – Reshjet e dëborës kanë përfshirë zonat malore të Librazhdit, duke sjellë një ndryshim të ndjeshëm të kushteve atmosferike dhe vështirësi të mundshme për qarkullimin e automjeteve.

Dëbora ka nisur në orët e vona të pasdites së kësaj të shtune, ndërsa pas orës 18:30 ka zbardhur zonën malore të Njësisë Administrative Steblevë.

Reshje të dendura janë regjistruar edhe në segmentin rrugor Librazhd–Zgosht–Sebisht, veçanërisht në zonën e Fushë Studenit, ku temperaturat kanë pësuar rënie të ndjeshme.

Përballë situatës së krijuar, pas orës 20:00 mjetet borëpastruese kanë dalë në terren në aksin Zgosht–Sebisht, me qëllim pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugës, për të garantuar vijimin e qarkullimit.

Sipas informacioneve nga strukturat përgjegjëse, deri në këto momente qarkullimi në këtë segment vijon normalisht dhe nuk raportohen probleme të evidentuara.

Megjithatë, situata kërkon kujdes të shtuar, pasi reshjet e dëborës pritet të intensifikohen gjatë ditës së dielë.

Drejtuesit e mjeteve këshillohen të reduktojnë shpejtësinë, të shmangin manovrat e rrezikshme dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, veçanërisht ata që udhëtojnë drejt zonave malore.

Mjetet borëpastruese do të vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në terren për të mbajtur aksin të hapur dhe të kalueshëm.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb