Saturday / November 28 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
200 kompanitë me fitime më të mëdha, 2025 Lajmet Kryesore Life Style Nga Vendi

Biznesi i operatorëve të veshjeve, më fitimprurësi në rajon

Share Share Icon

Tregu i veshjeve po njeh zgjerim, ku një nxitje e madhe po bëhen turistët. Në vitin 2025, sipas të dhënave të Doganave, u importua një sasi prej 740 mijë kg veshjesh të reja, me rritje prej 14%.

Veshje po importohen më shumë, por më lirë. Kjo ka sjellë rënie të lehtë të importeve në vlerë me 3% për të njëjtën periudhë, në 1.5 miliardë lekë.

Doganat raportojnë të dhënat për veshjet e reja, që janë të kufizuara në 4 grup-kapituj veshjesh për burra dhe gra, si: xhupa, xhaketa, pallto, veshmbathje, robdëshambër etj.

Linjat e mëdha të organizuara po raportojnë vit pas viti rritje si të të ardhurave, ashtu dhe të fitimeve, duke përfituar nga klientela e re e turistëve.

Mehmet Memo, Menaxher i “LC Waikiki”, tregtuesi i dytë më i madh i veshjeve në vend, pohon se turizmi nuk është vetëm një faktor sezonal.

Ai po sjell konsumatorë të rinj nga tregje të ndryshme, duke rritur ekspozimin e markës dhe duke krijuar mundësi të reja për rritje. “Ndër turistët që blejnë më shumë në dyqanet tona janë ata nga Italia, Kosova, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Polonia dhe vende të tjera të rajonit dhe Europës”.

 

Burimi: Doganat

 

Operatorët e tregut pohojnë se kërkesa më e lartë është për markat me çmime të lira, ndërsa kategoria që shpenzon më shumë për veshje mbeten gratë duke përfshirë edhe blerjet për fëmijë.

Tregtimi i veshjeve nga linjat e organizuara po rezulton një biznes i mirë dhe këtë vit ka katër shoqëri në listën e më të mëdhave sipas fitimeve të “Monitor 200”. Normat e kthimit mbeten të kënaqshme, duke u luhatur nga 15 në 40%.

Në biznesin e veshjeve në vend, më i madhi sipas qarkullimit vjetor, mbetet “ITX Albania”, që kishte të ardhura rreth 7.5 miliardë lekë në vitin 2025, me rritje 4% në raport me vitin e mëparshëm. Fitimet ranë me 6% në 2 miliardë lekë. Norma e fitimit arriti në 27.3%, nga 29% vitin e mëparshëm.

“LC Waikiki Retail AL” raportoi të ardhura 6.6 miliardë lekë, me rritje 6.7% në krahasim me vitin e mëparshëm. Për të dytin vit radhazi, fitimet ishin në rritje të fortë, duke arritur në 1.2 miliardë lekë, me zgjerim 77%. Norma e fitimit u përmirësua në 18.2%, nga 11% vitin e mëparshëm.

Mehmet Memo, menaxher për Shqipërinë i kompanisë, pohon se turizmi po i jep hov rrjetit të tregtimit të veshjeve. “Turizmi ka ndikim të drejtpërdrejtë në ecurinë e retail-it dhe këtë e kemi parë edhe te ‘LC Waikiki’. Gjatë sezonit veror, turistët përbëjnë rreth 25% të shitjeve, me një peshë më të lartë në dyqanet e zonave turistike, si dhe ato në qendrat tregtare në kryeqytet”.

Ai shton se në qytetet turistike, ndikimi i turistëve është dukshëm më i madh, veçanërisht në muajt e verës. “Aty kemi sezonalitet më të fortë dhe kërkesa përqendrohet më shumë te produktet verore dhe praktike. Tirana është një treg më i qëndrueshëm gjatë gjithë vitit, ku baza kryesore mbetet konsumatori vendas. Në të njëjtën kohë, edhe kryeqyteti po përfiton gjithnjë e më shumë nga rritja e turizmit”.

“In Sport” është e profilizuar në tregtimin e këpucëve e veshjeve sportive. Në vitin 2025, shoqëria raportoi të ardhura prej 2.3 miliardë lekësh. Fitimet u rritën me 21%, në 618 milionë lekë.

Norma e fitimit mbetet ndër më të lartat në këtë treg, me rreth 27%. “Kjo rritje është mbështetur si nga performanca e rrjetit të dyqaneve, ashtu edhe nga interesi në rritje i konsumatorëve për kategorinë lifestyle dhe, gjithnjë e më shumë, për atë sportive”, thotë Semi Gjyli, menaxherja ekzekutive e “Sport Vision Group” (emri tregtar i “In Sport”).

Ajo shton se çfarë vihet re është se konsumatori shqiptar po e integron gjithnjë e më shumë veshjen sportive në përditshmëri.

Gjithashtu, atletet vijojnë të jenë një nga kategoritë kryesore, pasi ndërthurin komoditetin, funksionalitetin dhe dizajnin.

“Njëkohësisht, sidomos te brezat e rinj, po shohim një orientim gjithnjë e më të madh drejt një jetese aktive dhe të shëndetshme, me interes në rritje për aktivitete si vrapimi, fitness-i apo sportet outdoor. Kjo tendencë po reflektohet drejtpërdrejt edhe në kërkesën për produkte sportive dhe në ecurinë e kësaj kategorie”.

“New Yorker Albania”, linja ndërkombëtare e përqendruar në tregtimin e veshjeve të lira, është për të dytin vit radhazi në listën e kompanive më të mëdha sipas fitimeve. Të ardhurat e kompanisë ishin 802 milionë lekë. Fitimet u zgjeruan 20%, duke arritur në 323 milionë lekë. Ky operator kishte dhe normën më të lartë në biznesin e veshjeve të të mëdhenjve, me 40%, nga 37% vitin e mëparshëm.

“Balkan Sport”, me aktivitet në tregtimin e artikujve të ndryshëm sportivë, kishte të ardhura prej 1.9 miliardë lekësh, por raportoi fitime minimale në 76 milionë lekë.

“Fashion Group Albania”, që menaxhon me rrjetin e saj një sërë dyqanesh “Aldo”, “Carpisa”, “Cortefiel”, “Geox”, “Mango”, “Okaidi”, “Parfois”, “Prenatal”, “Springfield”, “Woman Secrets”, raportoi të ardhura prej 1.1 miliardë lekësh, me rënie 9%. Fitimet para taksave ishin 95 milionë lekë, në vitin 2025, me rënie 52%. Në shtator 2025, Grupi BALFIN shiti 100% të aksioneve që zotëronte në “Fashion Group Albania” te kompania me kapital nga Kosova, “Albi Holding”.

“Koan sh.p.k.” është një tjetër shoqëri me fitime të larta. Të ardhurat po rriten me shpejtësi, duke arritur në rreth 1.2 miliardë lekë në 2025-n, me zgjerim 54%.

Fitimet ishin rreth 194 milionë lekë, me zgjerim 22%. Norma e fitimit ishte 16%. Kompania operon në tregun shqiptar si një markë e specializuar në veshje për gjueti dhe ngjitje në mal. Sipas burimeve zyrtare, artikujt më të kërkuar aktualisht janë veshjet për hiking, të cilat po pëlqehen gjithnjë e më shumë nga të rinjtë.

Tendenca është në rritje edhe mes turistëve, të cilët tregojnë interes të veçantë për veshje funksionale gjatë eksplorimeve në destinacionet malore më të njohura të vendit, si Thethi dhe Valbona.

“Defacto Retail” raportoi 756 milionë lekë të ardhura. Fitimet u rritën ndjeshëm me 45%, në 118 milionë lekë. Norma e kthimit ishte 15%.

 

 

Veshjet në rajon, kompanitë në Shqipëri me norma më të larta fitimi

Tregtimi i veshjeve, këpucëve dhe artikujve sportivë është një nga aktivitetet me norma relativisht të larta fitimi në Ballkanin Perëndimor. Në vitin 2025, kompanitë më të mëdha të identifikuara në renditjet rajonale realizuan norma fitimi neto përgjithësisht nga 3% në 21%, ndërsa në Shqipëri disa prej operatorëve kryesorë regjistruan norma fitimi para tatimit nga 18% në 40%.

Diferencat janë veçanërisht të mëdha për rrjetet ndërkombëtare që operojnë në disa vende të rajonit, si “Inditex”, “LC Waikiki”, “New Yorker” dhe “Sport Vision”.

 

Serbia, “Sport Vision” me mbi 200 milionë euro të ardhura

Në Serbi, “Sport Vision”, një nga rrjetet më të mëdha të veshjeve dhe këpucëve sportive në rajon, realizoi 204.6 milionë euro të ardhura dhe 29.6 milionë euro fitim neto në vitin 2025, me një normë fitimi prej 14.4%.

I njëjti rrjet operon edhe në Shqipëri përmes kompanisë “In Sport”, e cila realizoi rreth 2.3 miliardë lekë të ardhura, ose afërsisht 23 milionë euro, dhe 618 milionë lekë fitim para tatimit, me normë rreth 27%.

 

Bosnjë-Hercegovina, norma më të ulëta fitimi

Në Bosnjë-Hercegovinë, kompania më e madhe e identifikuar në renditje është “BDS.BA”, e përqendruar në tregtimin me shumicë të veshjeve dhe këpucëve. Ajo realizoi 260.2 milionë euro të ardhura dhe 39.1 milionë euro fitim neto, me normë fitimi 15%.

Ndër operatorët e rrjeteve të dyqaneve, “ITX BH”, që tregton markat e grupit “Inditex”, raportoi 95.1 milionë euro të ardhura dhe 3.25 milionë euro fitime, me normë 3.4%. Në Shqipëri, kompania e të njëjtit grup, “ITX Albania”, realizoi normë fitimi para tatimit prej 27.3%, rreth tetë herë më të lartë.

LPP BH, operator i markave të veshjeve të grupit polak LPP, realizoi 95 milionë euro të ardhura dhe 4.51 milionë euro fitime, me normë 4.7%. Ndërsa “Tema Retail BA” raportoi 79.9 milionë euro të ardhura dhe 7.09 milionë euro fitime, me normë 8.9%.

 

Mali i Zi, “New Yorker” dhe “Sport Vision”, me fitime dyshifrore

Në Mal të Zi, “Sport Vision” realizoi 40.2 milionë euro të ardhura dhe 5.75 milionë euro fitim neto, me normë 14.3%, pothuajse të njëjtë me atë të kompanisë në Serbi, por ndjeshëm më të ulët se norma prej 27% e operatorit shqiptar.

“Inditex Montenegro” raportoi 39.9 milionë euro të ardhura dhe 2.7 milionë euro fitime, me normë 6.8%, kundrejt 27.3% të “ITX Albania”.

“Fashion Company”, një rrjet i specializuar në markat ndërkombëtare të modës, realizoi 30.7 milionë euro të ardhura dhe 4.77 milionë euro fitime, me normë 15.6%. Ndërsa “Donator” kishte 29.7 milionë euro të ardhura dhe 1.69 milionë euro fitime, me normë 5.7%.

“LC Waikiki Retail” realizoi 21.4 milionë euro të ardhura dhe 2.45 milionë euro fitim neto, me normë 11.4%. Në Shqipëri, “LC Waikiki Retail AL” raportoi normë fitimi para tatimit 18.2%, me të ardhura që arrinin rreth 67 milionë euro.

Diferenca më e madhe, krahas “Inditex”, vërehet te “New Yorker”. Operatori në Mal të Zi realizoi 13.3 milionë euro të ardhura dhe 2.85 milionë euro fitime, me normë 21.4%, ndërsa në Shqipëri norma e fitimit para tatimit arriti në 40%, nga më të lartat në sektorin e tregtimit të veshjeve.

 

Kosova, operatorë ndërkombëtarë në treg, por pa të dhëna të plota

Në Kosovë, në renditjen e kompanive sipas të ardhurave figurojnë “ITX Kosovo” dhe “LC Waikiki Retail Kosovo”, por të dhënat financiare të vitit 2025 janë të paplotësuara.

Për këtë arsye, nuk mund të bëhet një krahasim i xhiros dhe normave të fitimit me operatorët e të njëjtave marka në vendet e tjera.

 

Maqedonia e Veriut, “Inditex” dhe “LC Waikiki”, ndër operatorët më të mëdhenj

Në Maqedoninë e Veriut, ndër operatorët më të mëdhenj të veshjeve sipas xhiros janë “ITXR Macedonia”, që tregton markat e grupit “Inditex”, dhe “LC Waikiki Retail MK”.

Sipas të dhënave më të fundit të verifikuara për qarkullimin, nga revista “manager.kapital.mk”, “ITXR Macedonia” realizoi 54.9 milionë euro të ardhura në vitin 2024, ndërsa “LC Waikiki” kishte raportuar 38.8 milionë euro në vitin 2023.

Sipas të dhënave të publikuara nga media ekonomike “Faktor”, në vitin 2025 “LC Waikiki Retail MK” ishte operatori më fitimprurës i veshjeve, me 3.81 milionë euro fitim neto.

“ITXR Macedonia” raportoi 1.57 milionë euro fitim neto, nga 2.97 milionë euro në vitin 2024, me rënie prej 47%. Në Shqipëri, fitimi i “ITX Albania” ishte mbi 20 milionë euro.

“New Yorker Macedonia” realizoi 1.5 milionë euro fitim neto. Në Shqipëri “New Yorker Albania” raportoi rreth 3.4 milionë euro fitime para taksave.

Në tregun maqedonas, ndër kompanitë e tjera fitimprurëse ishin “Eurofashion Trade”, me 530 mijë euro fitim neto, dhe “Tom Tailor”, me rreth 500 mijë euro.

 

 

LEXONI EDHE:

200 kompanitë me fitime më të larta; Ekonomia e shtrembëruar nga tenderat dhe informaliteti

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Televizionet, pas “Klan”, edhe “Top Channel” hyn në listën e 200 më të mëdhenjve për fitimet

Të ardhurat e 10 televizioneve kryesore në vend arritën në rreth 6.8 miliardë lekë në vitin 2025, apo në rreth 70 milionë euro, sipas bilanceve zyr...

9 minutes më parë 8 Min Lexim

Ngadalësohet biznesi i turizmit dentar, tregu po diversifikohet përtej Italisë

Për vite me radhë, mjaftonte të gjeje pacientë italianë që kërkonin dhëmbë të rinj me çmime më të lira për të ngritur një biznes fitimprurës në Shq...

11 minutes më parë 15 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!