VIDEO/ Molotovët ua lënë vendin borive dhe flamujve kuqezi, pamjet e mbrëmjes nga sheshi “Nënë Tereza” Protesta e 28 Nëntorit në Tiranë u shoqërua me momente të forta tensioni, përplasje mes protestuesve dhe policisë, ku pati përshkallëzime në disa prej zonave kryesore të kryeqytetit.
Mes pamjeve të regjistruara gjatë tubimit janë autoboti i përfshirë nga flakët, retë e dendura të tymit që mbuluan bulevardin dhe të rinjtë që shfaqen duke u koordinuar për hedhjen e bombolave molotov në drejtim të forcave të policisë.

Nga ana tjetër, efektivët iu përgjigjën protestuesve me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, ndërsa përplasjet vijuan për orë të tëra.

Fotografitë dhe videot e kësaj proteste dokumentojnë episode të ndryshme të një dite të tensionuar në kryeqytet, e cila zgjati rreth 10 orë dhe u shoqërua me dhjetëra të lënduar.

Tubimi, i cili nisi në orën 10:00 të paradites, u shoqërua gjatë gjithë ditës me përplasje të përsëritura, përdorim të gazit lotsjellës dhe ujit me presion, si dhe hedhje gurësh e molotovësh në drejtim të policisë.

Përplasjet u përhapën në disa zona të kryeqytetit, ndërsa u raportuan edhe dëmtime në godina institucionesh shtetërore.

Fillimisht tensionet nisën pranë Kryeministrisë, e më pas situata u përshkallëzua edhe në sheshin “Skënderbej”.

Sipas bilancit të Ministrisë së Shëndetësisë, 47 persona, mes tyre efektivë policie, protestues, gazetarë, kalimtarë dhe një punonjës sigurie, u paraqitën në strukturat spitalore për të marrë ndihmë mjekësore.

Top Channel