Vendosni fjalën kyçe....

OpenAI kundërpadit Apple, e akuzon për vjedhje të sekreteve tregtare


OpenAI ka ndërmarrë një veprim të ri ligjor kundër Apple, duke akuzuar gjigantin e teknologjisë se i ka vjedhur sekretet tregtare dhe po i pengon aksesin te furnitorët e pajisjeve, në një përpjekje për të “konkurruar në mënyrë të pandershme me çdo mjet të mundshëm”.

Krijuesi i ChatGPT paraqiti padinë të premten në një gjykatë në Kaliforni, duke kundërpërgjigjur kështu pasi prodhuesi i iPhone e akuzoi kompaninë e inteligjencës artificiale se kishte vjedhur informacione tepër sekrete gjatë kësaj vere.

Përshkallëzimi i betejës ligjore do të përkeqësojë më tej marrëdhëniet mes dy kompanive të Silicon Valley-t, të cilat vetëm dy vite më parë kishin arritur një marrëveshje bashkëpunimi për të integruar ChatGPT në iPhone.

Veprimi i ri ligjor vjen pasi OpenAI bleu kompaninë io, studion e drejtuar nga ish-shefi i dizajnit të Apple, Sir Jony Ive, për 6.4 miliardë dollarë në maj të vitit të kaluar.

Kompania e inteligjencës artificiale po përgatitet të lançojë një sërë pajisjesh të reja personale, për të cilat thotë se mund të “konkurrojnë dhe të tejkalojnë Apple në atë që Apple e konsideron territorin e vet”.

OpenAI pretendon se Apple po përdor “madhësinë dhe pasurinë e saj për të penguar konkurrencën”, përfshirë kërcënimin e furnitorëve që mund të bashkëpunojnë për pajisjet e reja të kompanisë. Ajo e akuzon Apple për një “gamë të gjerë sjelljesh të paligjshme, të padrejta dhe që përbëjnë shkelje ligjore”.

Apple nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Prodhuesi i iPhone ka përdorur prej kohësh fuqinë e zinxhirit të tij të furnizimit në avantazhin e vet, duke paguar paraprakisht për të siguruar kapacitetin e prodhimit të komponentëve kryesorë ose burimeve të prodhimit, në mënyrë që të garantojë që produktet e tij të kenë çipat më të fundit.

Por OpenAI e akuzoi Apple se ka shkuar edhe më tej, duke “detyruar dhe kërcënuar” furnitorët që bashkëpunojnë gjithashtu me krijuesin e ChatGPT.

OpenAI tha gjithashtu se një prej ish-punonjësve të saj, i cili u rikthye në Apple, kishte ndarë me kompaninë detaje mbi planet e produkteve dhe furnitorët e saj.

Në korrik, Apple akuzoi disa prej ish-punonjësve të saj, përfshirë drejtuesin e sektorit të pajisjeve në OpenAI, Tang Tan, se kishin ndarë me punëdhënësin e tyre të ri informacione konfidenciale lidhur me zhvillimin e produkteve dhe zinxhirin e furnizimit të Apple.

Një tjetër ish-inxhinier i Apple kishte shfrytëzuar një “dobësi” në sistemin e ruajtjes së të dhënave në rrjetin e kompanisë për të vjedhur skedarë konfidencialë pasi ishte larguar nga puna, pretendoi prodhuesi i iPhone.

Në gusht, OpenAI mohoi se kishte marrë sekretet tregtare të Apple, duke e përshkruar padinë si një përpjekje për të penguar kompaninë e inteligjencës artificiale të punësonte stafin e saj.

Të premten, OpenAI pretendoi se Apple i kishte nxitur punonjësit e saj të ruanin skedarët e kompanisë në pajisjet personale dhe llogaritë e tyre të ruajtjes së të dhënave në cloud.

“Apple u ngriti një kurth të vërtetë punonjësve të saj”, thuhej në padi. “Mendjet e reja dhe të talentuara mendonin se do të punonin në Cupertino. Në të vërtetë, ata po hynin në Hotel California: mund të largohesh kur të duash, por nuk mund të ikësh kurrë”.

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Financial Times