Spanja mban këtë të diel zgjedhjet e përgjithshme, në një garë mes kryeministrit socialist Pedro Sanchez, i cili synon të sigurojë një tjetër mandat qeverisës, dhe liderit konservator Alberto Núñez Feijóo, që kërkon rikthimin e Partisë Popullore (PP) në pushtet pas më shumë se tetë vitesh qeverisje socialiste.

Sondazhet e fundit e rendisin Partinë Popullore në avantazh, ndërsa partia e ekstremit të djathtë Vox, e drejtuar nga Santiago Abascal, mund të luajë një rol vendimtar në formimin e qeverisë së ardhshme, si partnere e mundshme e një koalicioni të djathtë.

Sanchez, 54 vjeç, shpalli zgjedhje të parakohshme më 5 tetor, pas vështirësive të qeverisë së tij për të siguruar mbështetjen parlamentare për miratimin e masave emergjente në përballimin e krizës së strehimit. Megjithëse socialistët kanë ngushtuar diferencën me konservatorët gjatë javëve të fundit, sigurimi i një shumice parlamentare për të majtën mbetet i vështirë.

Gjatë tubimit të fundit elektoral në Madrid, Sanchez u shpreh optimist për rezultatin, duke deklaruar se socialistët mund të arrijnë një tjetër fitore të papritur. Ai vuri në pah performancën ekonomike dhe arritjet sociale të qeverisë, ndërsa paralajmëroi se një fitore e së djathtës do të sillte regres për vendin.

Profili ndërkombëtar i Sanchez dhe pakënaqësia në vend

Në arenën ndërkombëtare, kryeministri spanjoll është shfaqur si një nga zërat më të spikatur të së majtës evropiane. Ai ka mbështetur Ukrainën, ka mbrojtur të drejtat e palestinezëve dhe është përplasur publikisht me presidentin amerikan Donald Trump, veçanërisht për çështjet e mbrojtjes dhe përdorimin e bazave ushtarake amerikane në Spanjë.

Megjithatë, brenda vendit, qeveria e tij përballet me një situatë më të ndërlikuar. Skandalet e korrupsionit në rrethin politik të kryeministrit, dy aksidentet e rënda hekurudhore, çështja e migracionit dhe kriza e strehimit kanë shtuar pakënaqësinë ndaj qeverisë. Gjatë muajve të fundit janë zhvilluar edhe greva nga mësuesit, punonjësit e shëndetësisë dhe sektorit hekurudhor.

Ekonomia rritet, por kriza e strehimit rëndon qytetarët

Një prej argumenteve kryesore të Sanchez në fushatë është performanca ekonomike e Spanjës, e cila ka shënuar rritje më të shpejtë se ekonomitë e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Që prej vitit 2018, papunësia ka rënë nga 15% në 10%, ndërsa te të rinjtë nga 34% në 22%. Po ashtu, paga minimale mujore është rritur me 66%, nga 735 euro në 1,221 euro.

Megjithatë, rritja e pagave nuk ka qenë e njëjtë për të gjithë punonjësit dhe inflacioni ka kufizuar fuqinë blerëse. Një tjetër shqetësim madhor mbetet tregu i banesave. Sipas platformës Idealista, çmimet e qirave janë rritur me 44% krahasuar me vitin 2018, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë për shumë qytetarë të përballojnë jetesën në qytetet ku janë rritur.

Qeveria kishte premtuar ndërtimin e 184 mijë banesave të reja me çmime të përballueshme, por mungesa e një buxheti të miratuar për tre vite ka ngadalësuar zbatimin e programit. Vlerësimet e organizatave të pavarura flasin për rreth 40 mijë banesa të përfshira në skemat e mbrojtjes.

Një nga problemet më të mëdha për Pedro Sanchez gjatë kësaj fushate janë hetimet dhe çështjet gjyqësore që kanë përfshirë figura të afërta me të.

Ish-ministri i Transportit dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë, José Luis Ábalos, u dënua në qershor me 24 vite burg për çështje korrupsioni, përfshirë parregullsi në prokurimin e maskave gjatë pandemisë.

Ndërkohë, muajin e kaluar policia bastisi selinë e Partisë Socialiste në Madrid, në kuadër të hetimeve që përfshijnë figura të lidhura me rrethin politik të partisë, mes tyre edhe ish-kryeministrin José Luis Rodríguez Zapatero, i cili mohon çdo shkelje.

Edhe familja e kryeministrit është përfshirë në çështje gjyqësore. Bashkëshortja e tij, Begoña Gómez, përballet me akuza për ushtrim të ndikimit të padrejtë dhe përvetësim të fondeve publike, të cilat i mohon. Ndërsa vëllai i Sanchez, David, u dënua në korrik për shkelje administrative, por u shpall i pafajshëm për akuzën e ushtrimit të ndikimit të padrejtë.

Kryeministri ka mohuar të ketë pasur dijeni për praktikat e paligjshme të ish-bashkëpunëtorëve të tij dhe është zotuar për bashkëpunim me drejtësinë.

Kandidati i Partisë Popullore, Alberto Núñez Feijóo, 65 vjeç, synon të shfrytëzojë pakënaqësinë ndaj qeverisë për të rikthyer konservatorët në pushtet.

Në zgjedhjet e korrikut 2023, ai doli fitues, por nuk arriti të siguronte shumicën parlamentare. Kjo i lejoi socialistët të qëndronin në qeveri, falë mbështetjes së disa forcave politike, përfshirë separatistët katalanas të Junts.

Këtë herë, Feijóo e ka përqendruar fushatën te premtimi për një qeverisje më efikase dhe më serioze, duke e paraqitur veten si alternativë ndaj Sanchez.

Një prej pikave kryesore të sulmeve të tij janë dy aksidentet e rënda në rrjetin hekurudhor me shpejtësi të lartë, të cilat sipas të dhënave të publikuara kanë shkaktuar gjithsej 115 viktima dhe mbi 300 të plagosur.

Ai ka akuzuar qeverinë për neglizhencë në administrimin e infrastrukturës hekurudhore, ndërsa Partia Popullore e kritikon gjithashtu për ndërprerjen masive të energjisë elektrike në prill 2025, që la vendin pa energji për gati 16 orë.

Një faktor që mund të përcaktojë rezultatin e zgjedhjeve është rritja e mbështetjes për partinë e ekstremit të djathtë Vox. Nën drejtimin e Santiago Abascal, partia ka fituar terren, veçanërisht te votuesit e rinj, duke e vendosur emigracionin në qendër të debatit politik.

Vox përfiton nga pakënaqësia për rritjen e flukseve migratore, përfshirë mbërritjet nga Maroku në Ceuta dhe shtimin e migrantëve në Ishujt Kanarie.

Partia propozon kthimin masiv të emigrantëve pa dokumente, të cilët i lidh me problemet e kriminalitetit, strehimit dhe presionin mbi shërbimet publike. Ajo kërkon gjithashtu ndryshime në ligjet për barazinë dhe rikthimin e disa kompetencave nga qeveritë rajonale te pushteti qendror.

Nga ana tjetër, Sanchez mbron kontributin e emigrantëve në ekonominë spanjolle, duke argumentuar se ata janë të rëndësishëm për një vend që po përballet me plakjen e popullsisë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Sigurimeve Shoqërore, më shumë se gjysma e vendeve të reja të punës të krijuara që prej vitit 2022 janë plotësuar nga emigrantët.

Rezultati i zgjedhjeve do të përcaktojë jo vetëm nëse Sanchez do të arrijë të qëndrojë në pushtet, por edhe nëse konservatorët do të kenë nevojë për mbështetjen e Vox për të formuar qeverinë e re.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb