Vendosni fjalën kyçe....

Dëbora zbardh zonat malore të Librazhdit



Reshjet e dëborës kanë përfshirë zonat malore të Librazhdit, duke sjellë rënie të ndjeshme të temperaturave dhe vështirësi të mundshme në qarkullimin e automjeteve.

Dëbora ka nisur në orët e vona të pasdites së së shtunës, ndërsa pas orës 18:30 ka zbardhur zonën malore të Njësisë Administrative Steblevë.

Reshje të dendura janë regjistruar edhe në aksin rrugor Librazhd–Zgosht–Sebisht, veçanërisht në zonën e Fushë Studenit.

Përballë situatës, pas orës 20:00 mjetet borëpastruese kanë dalë në terren në segmentin Zgosht–Sebisht, për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugës.

Sipas informacioneve nga strukturat përgjegjëse, deri më tani qarkullimi në këtë segment vijon normalisht dhe nuk raportohen probleme.

Megjithatë, situata kërkon kujdes të shtuar, pasi reshjet e dëborës pritet të intensifikohen gjatë ditës së dielë.

Drejtuesit e automjeteve këshillohen të reduktojnë shpejtësinë, të shmangin manovrat e rrezikshme dhe të pajisen me goma dimërore e zinxhirë, veçanërisht kur udhëtojnë drejt zonave malore.

Mjetet borëpastruese do të vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në terren për të garantuar kalueshmërinë e aksit.