Reshjet e borës kanë mbuluar rrugët dhe trotuaret në kryeqytet, Prishtinë, duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve dhe qarkullimin e automjeteve.

Kjo situatë vjen pavarësisht paralajmërimeve të një dite më parë nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në Prishtinë, se kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtjen dimërore dhe largimin e borës ishin në gjendje gatishmërie.


Drejtori i Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri, kishte bërë të ditur se kompanitë kishin në dispozicion ekipet dhe mekanizmin e nevojshëm për intervenim në të gjitha zonat e kryeqytetit.

Ai, përmes një njoftimi publik, kishte kërkuar nga qytetarët që të kenë kujdes të shtuar në komunikacion dhe gjatë lëvizjes në këmbë, duke theksuar se siguria e tyre është prioritet.

Megjithatë, pas reshjeve të borës, rrugët dhe trotuaret në kryeqytet janë mbuluar nga bora, duke ngritur pikëpyetje për reagimin dhe intervenimin në terren të kompanive të mirëmbajtjes dimërore.

Kushtet atmosferike dhe temperaturat e ulëta kërkojnë intervenim në kohë, veçanërisht në trotuare dhe hapësirat ku lëvizin këmbësorët, për të lehtësuar qarkullimin dhe për të shmangur vështirësitë gjatë lëvizjes.

Ndërkohë, qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve duhet të tregojnë kujdes të shtuar deri në përmirësimin e kushteve atmosferike. /Telegrafi/