Reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulëta kanë përfshirë gjatë gjithë natës qarkun e Kukësit, duke sjellë vështirësi në qarkullimin rrugor, veçanërisht në zonat malore. Reshjet janë shoqëruar edhe me erëra të forta, ndërsa temperaturat e ulëta kanë favorizuar krijimin e ngricave në disa akse rrugore.
Në lartësitë mbi 800 metra, trashësia e dëborës ka kaluar 20 centimetra. Deri më tani, nuk raportohet për bllokim të rrugëve nacionale, por probleme në lëvizjen e automjeteve janë evidentuar në fshatrat e njësive administrative Arrën, Kalis, Grykë-Çajë, Shishtavec, Zapod dhe Topojan.
Ndërkohë, reshjet kanë ndikuar edhe në prurjet e liqenit të Kukësit. Sipas të dhënave, gjatë dy ditëve të fundit ato kanë kaluar 450 metra kub në sekondë, ndërsa niveli i ujit ka kapërcyer kuotën 265 metra.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes të shtuar në rrugë, të ulin shpejtësinë dhe të përshtaten me kushtet atmosferike. Gjithashtu, rekomandohet që automjetet të jenë të pajisura me mjetet e nevojshme dimërore për të shmangur problematikat gjatë udhëtimit.