TIRANË- Sulmet me molotovë ndaj efektivëve të policisë gjatë protestës në Ditën e Pavarësisë kanë çuar në pranga 13 protestues, ndërsa 19 të tjerë janë nën hetim. Sulmet rrezikuan seriozisht jetën e efektivëve, aq sa njërit prej tyre i mori flakë uniforma.
Më i riu mes të arrestuarve është 18 vjeç. Ndonëse mbante maskë në fytyrë, policia arriti ta identifikojë Andrea Qorrajn dhe ta vërë në pranga për 7 akuza, mes tyre vrasje të punonjësit të policisë, të mbetur në tentativë, si edhe goditje për shkak të detyrës.
Në këto pamje shihet momenti kur adoleshenti fshihet pas urës pranë ish-hotel “Dajtit”, në bulevard, dhe më pas hedh një koktej molotov drejt një grupi efektivësh, duke u rrezikuar jetën.
Njoftimi i Policisë
Kundërshtuan dhe goditën me sende të forta, lëndë piroteknike, bomba molotov, punonjësit e Policisë, bllokuan qarkullimin dhe dëmtuan pronën publike, arrestohen 12 shtetas dhe procedohen penalisht 19 të tjerë.
Gjatë tubimit të djeshëm u dëmtuan 17 punonjës Policie.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme, u arrestuan shtetasit:
-E. K., 32 vjeç, H. Xh., 18 vjeç, S. A., 53 vjeç, M. D., 47 vjeçe, B. H., 25 vjeç, E. D., 27 vjeç, L. V., 55 vjeç, E. C., 32 vjeç, K. J., 31 vjeç, Y. M., 38 vjeçe, Sh. Ç., 29 vjeç dhe D. Ç., 23 vjeç.
Gjithashtu, u proceduan penalisht 19 shtetas.
Specialistët për Hetimin e Krimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Lajmi në përditësim...












Komente
Komento