Një 18-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka hedhur një koktej molotov në drejtim të efektivëve gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë në kryeqytet.
Sipas njoftimit zyrtar, i riu me inicialet A. Q. u arrestua në flagrancë pas veprimeve hetimore të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 4.
Ngjarja ka ndodhur pranë ish-hotel “Dajti”, ku 18-vjeçari dyshohet se ka hedhur një koktej molotov drejt punonjësve të Policisë që ishin në shërbim, duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e tyre.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Vrasja e punonjësit të Policisë”, e mbetur në tentativë, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse”, “Shkatërrimi i pronës”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.