Në Prishtinë, një grua ka marrë trajtim mjekësor pasi dyshohet se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj pas një mosmarrëveshjeje familjare. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Në një rast tjetër në kryeqytet, një burrë ka marrë trajtim mjekësor pas një tentative për vetëvrasje. Sipas Policisë, ai më pas është intervistuar si i dyshuar për dhunë në familje dhe, me vendim të prokurorit, është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Në Ferizaj, një burrë dyshohet se e ka fyer dhe sulmuar fizikisht nënën e tij. Gruaja ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Në Gjakovë, Policia ka arrestuar një burrë që dyshohet se e ka sulmuar fizikisht babanë e tij. Babai ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Në rastin tjetër në Gjakovë, dy bashkëjetues janë intervistuar më 28 nëntor, pasi dyshohet se e kanë kanosur verbalisht njëri-tjetrin më 20 nëntor, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me fëmijët e tyre. Sipas Policisë, ndaj burrit është zbatuar një urdhër i përkohshëm emergjent i mbrojtjes. Rasti po trajtohet në procedurë të rregullt.