Reshjet e dëborës kanë përfshirë gjatë natës zonat veriore dhe juglindore të Shqipërisë, duke sjellë prezencë dëbore në disa akse rrugore. Pavarësisht kushteve atmosferike, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njofton se të gjitha rrugët mbeten të hapura dhe qarkullimi i automjeteve vijon normalisht.
Sipas ARRSH-së, reshjet e shiut me intensitet mesatar janë shoqëruar me dëborë në zonat malore, ndërsa grupet e mirëmbajtjes janë angazhuar gjatë gjithë natës për të garantuar lëvizjen e sigurt të mjeteve.
Në rajonin verior, reshje dëbore janë regjistruar në akset Bajram Curri–Valbonë, Ura e Bujanit–Qafë Morinë, Hani i Hotit–Vermosh, Bogë–Theth, Qafë Mejdan–Tropojë–Buçaj, Dushaj–Lekbibaj, Rrëshen–Shpal–Qafë Benë, Fierzë–Bajram Curri, Bulqizë–Peshkopi, Kukës–Shishtavec, Kukës–Bushtricë, Kukës–Krumë dhe Dedaj–Razëm, si dhe në segmente të tjera malore.
Ndërkohë, në juglindje, dëbora ka prekur rrugët Qukës–Qafë Plloçë, Qafë Plloçë–Qafë Thanë, Librazhd–Fushë Studën, Korçë–Dardhë dhe Zëmblak–Goricë.
Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se kontraktorët janë në terren me mjete borëpastruese dhe punonjës, duke vijuar pastrimin e rrugëve dhe shpërndarjen e kripës për të parandaluar formimin e ngricave.
ARRSH u bën thirrje drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimit, veçanërisht në zonat malore ku temperaturat e ulëta mund të krijojnë vështirësi në qarkullim.
Shoferët këshillohen të përdorin goma dimërore dhe të mbajnë zinxhirë me vete kur udhëtojnë në akset ku ka prezencë dëbore.
Për momentin, sipas njoftimit të ARRSH-së, nuk raportohet asnjë aks kombëtar i bllokuar, ndërsa puna për mirëmbajtjen dhe sigurinë rrugore vijon në të dy rajonet e prekura nga reshjet.