Një 29-vjeçare është arrestuar në Tiranë, ndërsa dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi dyshohet se siguronin dhe shpërndanin mjete që do të përdoreshin gjatë protestës së 28 Nëntorit në kryeqytet.
E arrestuara, me iniciale F.P., u ndalua në rrugën “Qemal Stafa”, teksa udhëtonte me një automjet tip “Fiat”.
Gjatë kontrollit të makinës, policia gjeti 91 koktej molotov, 166 fishekzjarrë, 17 kapsolla, 59 tuba metalikë, dy maska kundragaz, si dhe veshje, doreza e sende të tjera.
Në kërkim janë shpallur edhe dy persona, 28 dhe 39 vjeç, të dyshuar si bashkëpunëtorë të saj.
Sipas hetimeve, tre personat dyshohet se synonin t’u shpërndanin këto materiale pjesëmarrësve në protestë, për t’u përdorur në akte të dhunshme ndaj policisë dhe institucioneve shtetërore.













