Shqipëria përkujton sot 82-vjetorin e Çlirimit të vendit, ndërsa kryeministri Edi Rama dhe presidenti Bajram Begaj morën pjesë në ceremoninë zyrtare të organizuar në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.
Dy drejtuesit e lartë të shtetit vendosën kurora me lule pranë monumentit përkujtimor, në nderim të dëshmorëve që dhanë jetën gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Ceremonia u shoqërua me interpretimin e Himnit Kombëtar nga Orkestra e Forcave të Armatosura, në një atmosferë solemne kushtuar kujtimit dhe sakrificës së atyre që luftuan për çlirimin e Shqipërisë.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka përcjellë edhe një mesazh përmes rrjeteve sociale, duke publikuar një fotografi të monumentit “Nëna Shqipëri”.
“Nëna Shqipëri, nderim për dëshmorët e atdheut”, shkruan Rama.
29 Nëntori shënon përkujtimin e Çlirimit të Shqipërisë në vitin 1944, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së vendit gjatë Luftës së Dytë Botërore.