Dardha dhe Voskopoja mbulohen nga dëbora, Policia apel për drejtuesit e mjeteve
Reshjet e dëborës janë rikthyer këtë të diel në zonat malore të juglindjes së vendit, duke zbardhur disa prej fshatrave turistikë të qarkut të Korçës.
Në lartësitë mbi 1 mijë metra, trashësia e dëborës ka arritur në 10 centimetra, ndërsa reshjet janë shoqëruar me një ulje të ndjeshme të temperaturave. Në fshatin turistik të Dardhës, temperaturat minimale pritet të zbresin deri në -12 gradë Celsius.
Përveç Dardhës, reshje dëbore janë regjistruar edhe në Voskopojë, Vithkuq dhe Shtyllë të Korçës, në Qafë Thanë dhe zonën e Mokrës në Pogradec, si dhe në zonat malore të Kolonjës.
Deri më tani nuk raportohen probleme serioze me furnizimin me energji elektrike. Megjithatë, në disa prej fshatrave të thella malore janë regjistruar ndërprerje të herëpashershme për shkak të amortizimit të rrjetit elektrik.
Të gjitha akset rrugore janë të hapura dhe qarkullimi i automjeteve vijon normalisht, përfshirë edhe rrugët që të çojnë drejt fshatrave turistikë.
/vizionplus.tv




