Rënia nga kali dhemb. Nga toka, edhe njeriun që mban frerët e sheh ndryshe. Dikur, teksa përmendte Skënderbeun në një fjalim, Elisa Spiropali tregoi me dorë nga Edi Rama. Po ta mësonin historinë nga fjalimet e saj, fëmijët do të merrnin dhjetë duke thënë se Skënderbeu ishte «xhaxhi Rama». Sot krahasimin e quan barsoletë. Tek i njëjti njeri sheh «logjikën e sulltanit». Emri ndryshoi; gishti tregues vazhdon të drejtohet po nga Rama.
Rama e çoi nga forumi rinor i PS-së në krye të doganave kur ishte tridhjetë vjeçe. Në tridhjetë e pesë u bë ministre dhe më pas drejtoi Kuvendin e Ministrinë e Jashtme. Sa kohë ashensori e çonte lart, dorën që shtypte butonin e quante udhëheqje. Kur po ajo dorë shtypi butonin për katin përdhes, udhëheqja mori emrin e arbitraritetit.
Ndërgjegjja e priste te dera. Me ashensorin, siç duket, nuk do udhëtonte dot më!
Spiropali kishte pranuar të kalëronte me frerët në dorë të Ramës. Kur e zbritën nga kali, iu kujtua se edhe asaj i paskësh takuar radha t’i mbante. Kur e quajti Ballukun njëherësh mishërim dhe viktimë të modelit, m’u duk se i rrëshqiti nga goja një autoportret. Pranoi se kishte ndihmuar në përqendrimin e pushtetit.
Në studio, idetë e saj kaleidoskopike mbi demokracinë dukeshin po aq artificiale sa gjestet që e shoqëronin, majtas e djathtas, lart e poshtë. Ndonjëherë gjestet merrnin përsipër atë që argumentet e linin pezull. Fliste me ngazëllimin e një të “pafajshme”. Në monologun e saj katarsik kafshonte lehtë buzën, si pa dashje, dhe fytyra i merrte një shprehje miqësisht të lodhur. Fjalët tingëllonin heroike në vija të përgjithshme, bëheshin pafundësisht pikëlluese kur kujtoje sa gjatë ajo vetë e kishte mbrojtur atë pushtet dhe “Skënderbeun”.
Në mendimin e saj kishte diçka të tejdukshme si qelqi. Përtej moralit lakuriq, zor se gjeje brumë. Të jepte leksione sikur sapo të kishte dalë nga inkubatori i politikanëve të porsalindur, ende e painfektuar nga politika ku vetë kishte qenë protagoniste. Po ta dëgjonin, edhe engjëjt do t’ia kishin zili pafajësinë. Për fat të tyre, nuk ishin të detyruar ti kushtonin vemendje ligjiratave katarsike të saj.
Ndjenja e paprekshmërisë, e farkëtuar gjatë viteve mbi shalën e kalit të pushtetit , e bënte edhe një kontroll tatimor të dukej si mëkat. Kur tatimorët trokitën te bizneset e lidhura me familjen, Spiropalit iu duk sikur në derë po trokiste vetë Rama. Në «Opinion» pretendoi se e ndiqnin edhe kur dilte për kafe. Ndoshta ndjenja e paprekshmerise , apo ndonjë mëkat në tentativë, ishin tokë pjellore për këtë paranojë. Kur ajo lulëzon, edhe tavolina ngjitur në kafene të duket si degë e shërbimeve sekrete.
Po në atë studio foli për shkopinjtë e gomës ndaj 17-vjeçarëve. «Kemi pamjet», tha. Dhunën si mjet ndryshimi politik e kishte kundërshtuar në tetor.
Në pamjet që tha se kishte, pjesa me policët e plagosur, vitrinat e thyera dhe institucionet e dëmtuara nga disa protestues i paskësh dalë çuditërisht e mjegulluar. Mëkat i operatorit apo thjesht problem teknik i kujtesës? Edhe ato pamje ishin nga Tirana.
Aharon Barak, ish-kryetari i Gjykatës së Lartë të Izraelit, shkruan në librin Gjyqtari në demokraci, f. 315: «Ndërsa unë gjykoj, pres edhe të gjykohem». Elisa tashmë ka nisur gjykimin e qeverisë ku shërbeu, të partisë nga e cila përfitoi dhe të “Skënderbeut” që sot e quan sulltan. Vetëm emrin e vet e ka lënë jashtë aktakuzës.
Drejt shtëpisë së vet politike, fjalët e Spiropalit nisën si gurë e mbërritën si molotovë. Betejën do ta bënte brenda, thoshte. E mori vesh jo vetëm komshiu, por gjithë mileti. Kërkoi të hapej gara për kryetar dhe u shpreh e gatshme të kandidonte. Socialistët po prisnin me zemër në dorë përgjigjen e saj. Si t’i refuzonte? Do të quhej mungesë respekti. Do të bënte, pra, edhe këtë sakrificë. Së pari për mëmëdheun, pastaj për Partinë Socialiste. Fundja, ajo e dinte nga përvoja sa mund dhe sakrifica duhen që të qëndrosh mbi kalë. Kishte bërë për ta, sipas saj, beteja që askush tjetër s’i kishte luftuar. M’u kujtua miza që i gumëzhinte kalit në vesh gjithë të përpjetën. Kur karroca mbërriti në majë, edhe ajo priste falënderimet.
Në fushatën për mandatin e katërt, meritat për përshpejtimin e integrimit në BE ua njihte Ramës dhe PS-së. Si ministre, hapjen e kapitujve e shihte si fryt të reformave të qeverisë.
Sot psherëtin për fatin e integrimit. Mes platformave shpëtimtare që propozon dhe maratonës rraskapitëse nga një studio televizive në tjetrën, gjumi i zhegut ka mbetur pa vend në axhendën e saj.
Po vazhdoi kështu, thotë ajo, qeveria rrezikon t’i thyejë turinjtë te portat e mbyllura të BE-së. Çudi si dukeshin aq të hapura nga zyra e ministres. Ta dëgjosh, kali për në Bruksel po hingëllin deri në ngjirje për kalorësin që kishte pasur.
Mirënjohja është themeli i virtyteve. Kur mungon, virtytet e tjera shkërmoqen. Nuk e di pse ligjëratat e saj mbi demokracinë dhe autokracinë më kujtuan thënien se «lajthitjet e Perëndisë janë më të mençura se njerëzit». Sepse kur egoja e verbuar nga rrëmbimi dhe padurimi merr drejtimin, arsyeja shndërrohet në një lajthitje të rrezikshme që e shtyn njeriun drejt greminës së vetëshkatërrimit. Në këtë vorbull të verbër, ku dëshira për të zotëruar gjithçka menjëherë fshin çdo ndjenjë përulësie, njeriu përplaset pa mëshirë me shkëmbinjtë e ftohtë të mosmirënjohjes.
Ajo harron dorën që e ngriti, burimin që i dha jetë dhe dritën që i ndriçoi rrugën. Postet që mori me mbështetjen e tyre i quan vetëm meritë të vetën larg autokracise që sot e anatemon , derisa mbetet e vetmuar dhe e thyer mbi rrënojat e krenarisë së saj.
Pastaj na dha leksione morali, si në shkollë vere. Që t’ia besonim, duhej të kishim qenë me pushime gjithë vitet që ajo ishte në pushtet.
Kur vendosi të kalonte Rubikonin, Jul Qezari, sipas Suetonit, tha «Alea iacta est». Zari u hodh. Edhe Spiropali e hodhi të vetin kur sfidoi Ramën dhe Partinë Socialiste. Fatkeqësisht, odiseja e saj si rebele qe e shkurtër, e trishtë, në kufijtë e një bejteje. Kur posti i saj varej ende nga Rama, a ia tha ndonjëherë në sy se po qeveriste me «logjikën e sulltanit»? Në publik, të paktën, sulltani quhej ende Skënderbeu.
«Dje isha i zgjuar, ndaj doja ta ndryshoja botën. Sot jam i urtë, ndaj po ndryshoj veten», shkruante Sri Chinmoy.
Spiropali u përpoq të bënte të zgjuarën. Mbeti te fjalia e parë.
Urtësia kërkon që të shohësh në pasqyrë përpara se të ngjitesh në foltore.








Komente
Komento