Shaban Brika, i njohur ndryshe si “Shabani i Flamurit”, pasi në çdo protestë shfaqet me flamurin kuqezi në duar, ka rrëfyer për News24 momentet e shoqërimit të tij nga policia gjatë protestës së fundit kombëtare të mbajtur ditën e djeshme.
Në një prononcim për News24, Brika pretendon se është marrë me forcë nga efektivët pranë Kryeministrisë, pasi po valëviste flamurin shqiptar. Ai thotë se është shoqëruar rreth orës 19:30, së bashku me Arben Kolën, ndërsa gjatë ndërhyrjes është goditur nga disa efektivë.
“Po valëvisja flamurin, dhanë urdhër të më arrestonin mua dhe Arben Kolën. Jam shoqëruar në orën 19:30 të darkës. Nga Kryeministria më morën me dhunë, gjashtë policë dhe më goditën pas qafe. Nuk e lëshova flamurin kurrë. Njëri nga policët më tha: ‘Nuk e do ti flamurin më shumë se unë’. Më sekuestruan edhe flamurin. Mesa duket, flamuri u duket armë”, rrëfen Brika.
Ai thotë se është ndaluar disa herë gjatë protestave dhe se ka marrë edhe pesë apo gjashtë gjoba, të cilat shprehet se nuk ka ndërmend t’i paguajë.
“Jam ndaluar disa herë, kam marrë edhe pesë-gjashtë gjoba. Gjobat nuk i kam paguar dhe as nuk kam plan t’i paguaj. Nuk i trembem as plumbit të gomës. Edhe plumbi i vërtetë mbase ma merr jetën, por ma merr me faqe të bardhë”, shprehet ai.
Në prononcimin e tij, Brika i bën thirrje policisë të tërhiqet nga përplasjet me protestuesit, duke kritikuar përdorimin e plumbave të gomës ndaj të rinjve.
“Policia duhet të tërhiqet, jo t’u prishin fytyrën gocave dhe çunave të rinj me plumba gome. Po bëjnë shumë gjëra të pakëndshme. U them shqiptarëve të ngrihen për veten e vet”, përfundon ai.
