Rreth 38.6 milionë qytetarë spanjollë pritet t’u drejtohen të dielën kutive të votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në një proces që mund të shënojë një kthesë të rëndësishme në politikën e vendit. Për herë të parë që nga rikthimi i demokracisë në vitin 1975, pas vdekjes së gjeneralit Fransisko Franko në vitin 1975, e djathta ekstreme mund të bëhet pjesë e qeverisë. Kryeministri socialist Pedro Sánchez vendosi të thërrasë zgjedhjet e parakohshme pas bllokimit të paketës së masave për krizën e strehimit nga partitë e djathta dhe separatistët katalanas. Rritja e çmimeve të qirave dhe dëbimet kanë shkaktuar protesta në disa qytete të vendit, duke e kthyer strehimin në një nga temat kryesore të fushatës. Megjithatë, gara është dominuar edhe nga akuzat për korrupsion ndaj rrethit të kryeministrit dhe kritikat për menaxhimin e krizave të fundit, përfshirë dy aksidentet e rënda hekurudhore, ku dhjetëra persona kanë humbur jetën. Sipas “The Guardian” Sondazhet tregojnë një epërsi të Partisë Popullore konservatore, e cila, në mungesë të një shumice të vetme, mund të kërkojë mbështetjen e partisë së ekstremit të djathtë Vox. Të dyja forcat kanë bashkëpunuar edhe më herët në qeverisjen e disa rajoneve spanjolle.