Mike Love, këngëtari dhe bashkëthemeluesi i grupit “The Beach Boys”, vdiq në moshën 85-vjeçare, njoftoi publicisti i tij, duke bërë të ditur se muzikanti ndërroi jetë të shtunën në mbrëmje, i rrethuar nga familjarët. Shkaqet e vdekjes nuk janë publikuar; Love kishte pasur probleme shëndetësore gjatë muajve të fundit, por deklarata zyrtare nuk dha detaje të mëtejshme.
Love ishte një nga figurat kryesore që ndihmoi në ngritjen e suksesit ndërkombëtar të “The Beach Boys”, të themeluar në Kaliforni në 1961 së bashku me kushërinjtë Brian, Dennis e Carl Wilson dhe mikun e tyre Al Jardine. Ai mbeti për dekada anëtari më i qëndrueshëm i formacioneve të ndryshme të grupit dhe ishte bashkautor i shumë hiteve si “California Girls”, “Good Vibrations” dhe “I Get Around”. Grupi, sipas faqes zyrtare, ka shitur mbi 100 milionë disqe dhe në deklaratën për ndarjen e Love u cilësua “Një ikonë e kulturës amerikane, ai do të kujtohet për talentin e tij të veçantë dhe frymëzimin që u dha brezave të muzikantëve”. Mesazhi shtonte: “Ne festojmë kontributin e tij të jashtëzakonshëm në muzikën amerikane dhe gëzimin që ai ndiente kur performonte për fansat e tij të dashur”.
Albumi “Pet Sounds” (1966) konsiderohet një prej kryeveprave të grupit, ndërsa debutimi “Surfin’ Safari” (1962) dhe “Surfin’ USA” (1963) konsoliduan popullaritetin e tyre. Pas ndarjeve brenda grupit, Love vazhdoi të zhvillonte turne me emrin “The Beach Boys”, duke fituar të drejta ekskluzive që çuan në beteja ligjore me Al Jardine. Në vitet 1990 ai paditi Brian Wilson për kredi bashkautori dhe fitoi përfshirjen e emrit në dhjetëra këngë. Përballë kritikave për egoizëm dhe ambicie personale, Love i përgjigjej: “Çfarë kam bërë unë? Pse jam unë i keqi?”.
Në vitin 2012 ai u ribashkua me Brian Wilson, Al Jardine dhe të tjerë për një turne dhe albumin “That’s Why God Made The Radio”. Grupi u përfshi në Rock & Roll Hall of Fame në 1988 dhe mori çmimin Grammy për arritje gjatë karrierës në 2001. Pas vdekjes së Mike Love, Al Jardine mbetet i vetmi anëtar themelues i gjallë. Djali i tij, Mike Love Jr., publikoi një homazh në Instagram, ndërsa aktori dhe muzikanti John Stamos reagoi me një mesazh prekës.
