Një ditë pas protestës së 28 Nëntorit, e cila u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe policisë, qytetarët rikthehen sërish në shesh. Edhe këtë të shtunë është paralajmëruar një protestë kombëtare, ndërsa pjesëmarrësit denoncojnë ndërhyrjen e forcave të rendit gjatë tubimit të një dite më parë.
Një prej protestuesve, i cili ka qenë i pranishëm në protestën e djeshme, e cilësoi ndërhyrjen e policisë si të pajustifikueshme, duke e krahasuar me veprimet e një organizate kriminale.
“Ndërhyrje e policisë dje, ndërhyrje që i bën vetëm një organizatë kriminale. Ndërhyrje që nuk kanë shpjegim. Kriminalitet i jashtëzakonshëm”, u shpreh ai.
Protestuesi deklaroi se do të vijojë të jetë pjesë e tubimeve, ndërsa u bëri thirrje shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, të bashkohen në protestat kundër qeverisë.
“Kam qenë në protesta dhe do të jem. Shqiptarët të bashkohen kudo ndodhen, bashkimi bën fuqinë”, deklaroi ai.
