Irani dyshohet se ka përdorur shërbimin e internetit satelitor Starlink të miliarderit Elon Musk në një sulm ndaj forcave amerikane në ditët e para të luftës me SHBA-në dhe Izraelin.

Gjashtë ushtarë amerikanë humbën jetën në sulmin e 1 marsit në Kuvajt, një ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën fushatën ushtarake kundër Teheranit.

Sipas The Washington Post, Musk u zemërua  pasi mësoi për përdorimin e paautorizuar të shërbimit nga Irani, dhe brenda asaj jave shkarkoi dy drejtues të kompanisë. 

Pas sulmit, SpaceX, kompania që administron Starlink, vendosi masa të reja për verifikimin e përdoruesve. Në javët në vijim, kompania shtrëngoi edhe rregullat për rishitjen e pajisjeve, duke rritur tarifat mujore dhe duke kërkuar më shumë të dhëna nga blerësit, me qëllim që ato të mos përfundonin në duart e kundërshtarëve të SHBA-së.

Sipas një raporti të klasifikuar që i ishte dorëzuar sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, Irani po përdorte Starlink për operacionet ushtarake dhe koordinimin e forcave të tij, ndërkohë që SHBA-ja po përpiqej të dobësonte sistemet tradicionale të komunikimit të Teheranit.

Musk kishte pasur gjithashtu mosmarrëveshje me Pentagonin për përdorimin e Starshield, versionit ushtarak të Starlink. Pentagoni kishte paguar për një paketë shërbimi të destinuar vetëm për operacione tokësore, pesë herë më të lirë se ajo për operacionet ajrore. Më pas, sipas raportimeve, Pentagoni pranoi të paguante tarifën më të lartë.

Përdorimi i Starlink nga Irani nuk është rasti i parë kur teknologjia e Musk shfrytëzohet për qëllime ushtarake nga kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara.

Në Ukrainë, SpaceX vendosi kufizime me kërkesë të Kievit, pasi forcat ukrainase zbuluan prova të përdorimit të teknologjisë Starlink nga ushtria ruse. Kompania bashkëpunoi me autoritetet ukrainase për krijimin e një liste të pajisjeve të autorizuara, duke ndërprerë aksesin për të tjerat.

Megjithatë, në tetor, Musk u përball me kritika pasi The Telegraph zbuloi se ai i kishte propozuar personalisht presidentit amerikan Donald Trump vendosjen e kufizimeve mbi shërbimet Starlink dhe Starshield në Ukrainë. Ndërprerja njëjavore e shërbimit shkaktoi probleme të konsiderueshme në operacionet ushtarake ukrainase, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin e cilësoi Musk si një “gjeni të vërtetë”.

Por ndryshe nga Ukraina, në Iran nuk ekziston një listë e pajisjeve të autorizuara, çka e bën shumë më të vështirë kufizimin selektiv të shërbimit.

Në janar, kur autoritetet iraniane shtypën me dhunë protestat masive të shkaktuara nga kriza valutore, Starlink e ofroi falas shërbimin për të gjithë qytetarët iranianë që dispononin pajisjet e nevojshme.

Shërbimi përdoret nga kundërshtarët e regjimit dhe qytetarët e zakonshëm për të anashkaluar kufizimet e rënda të internetit të vendosura nga autoritetet iraniane.

Sipas analistëve të cituar nga The Washington Post, SpaceX ndodhet përballë një dileme: ndërprerja e një kanali jetik komunikimi për qytetarët iranianë apo rreziku që teknologjia e saj të përdoret nga Garda Revolucionare Islamike kundër forcave amerikane.