Fenomeni klimatik El Niño ka shkaktuar përmbytje të rënda në Peru dhe Ekuador, ku reshjet intensive kanë bërë që lumenjtë të dalin nga shtrati, duke detyruar mijëra familje të largohen nga banesat.
Sipas Associated Press, reshjet e dendura kanë goditur zonat bregdetare të Ekuadorit dhe veriun e Perusë pas disa javësh me mot ekstrem.
Në Ekuador janë regjistruar të paktën 34 viktima që nga fundi i gushtit, ndërsa rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet kanë dëmtuar mbi 50 segmente rrugore. Të paktën 10 prej tyre janë mbyllur, përfshirë një prej akseve kryesore që lidh kryeqytetin Quito me zonat bregdetare.
Në Peru, më shumë se 2000 familje janë prekur vetëm në rajonin Piura. Në një stacion meteorologjik janë regjistruar 143 milimetra reshje brenda 24 orëve, një sasi jashtëzakonisht e lartë për këtë zonë.
Lumi Tumbes është ngritur në nivele pothuajse dyfish më të larta se kufiri i konsideruar i rrezikshëm, duke përmbytur shtëpi, shkolla dhe toka bujqësore.
El Niño po sjell gjithashtu temperatura të pazakonta në Lima. Në disa zona të kryeqytetit temperaturat kanë arritur 32 gradë Celsius, rreth 10 gradë mbi mesataren normale.
Autoritetet paralajmërojnë se kushtet ekstreme mund të vazhdojnë deri në shkurt. Përveç dëmeve në infrastrukturë, fenomeni po ndikon edhe në prodhimin bujqësor dhe peshkim, duke rritur çmimet e ushqimeve.
© SYRI.net