Ka shkuar në 61 numri i personave që kanë marrë trajtim mjekësor pas protestës kombëtare të 28 Nëntorit në Tiranë. Sipas përditësimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në Spitalin Universitar të Traumës dhe në QSUT janë paraqitur gjithsej 61 persona të lënduar.
Në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 50 persona, konkretisht:
- 17 efektivë policie, njëri prej të cilëve vijon të jetë i shtruar.
- 21 protestues, dy prej të cilëve janë të shtruar në spital.
- 6 gazetarë, njëri prej të cilëve vijon të marrë trajtim në spital.
- 6 kalimtarë, njëri prej të cilëve ndodhet i shtruar.
Ministria bën me dije se njëri prej protestuesve të shtruar është paraqitur me kontuzion të bulbit okular, pra me dëmtim të kokërdhokut të syrit dhe jo me trup të huaj në sy. Ai po ndiqet në vijimësi nga mjekët e specializuar.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur 11 persona të lënduar: tetë efektivë policie, një protestues, një punonjës sigurie dhe një deputet.
Sipas njoftimit, të gjithë personat e paraqitur në QSUT kanë lënë spitalin me këshillën e mjekut. Edhe pjesa tjetër e të lënduarve, përveç atyre që vijojnë të jenë të shtruar, janë larguar pas marrjes së ndihmës mjekësore.a.b




