Dëbora dhe temperaturat e ulëta kanë përfshirë veriun e vendit, duke sjellë vështirësi në disa zona malore. Në Kukës, Bulqizë dhe Dibër, reshjet e dëborës janë shoqëruar me ngrica në rrugë dhe rënie të ndjeshme të temperaturave, ndërsa në liqenin e Kukësit janë rritur ndjeshëm prurjet. Qarku i Kukësit është përfshirë gjatë gjithë natës nga reshje dëbore, të shoqëruara me erëra të forta dhe temperatura të ulëta. Në qafat malore, mbi 800 metra lartësi, trashësia e dëborës ka kaluar 20 centimetra, ndërsa ngricat kanë vështirësuar qarkullimin në disa fshatra të njësive administrative Arrën, Kalis, Grykë-Çajë, Shishtavec, Zapod dhe Topojan. Ndërkohë, reshjet kanë sjellë rritje të prurjeve në liqenin e Kukësit, të cilat gjatë dy ditëve të fundit kanë kaluar 450 metra kub në sekondë.