Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, prezantoi përpara grupeve të interesit katër projektligjet e reja në shëndetësi, duke iu adresuar edhe pikëpyetjeve të ngritura mbi organizimin e furnizimit me barna përmes shoqërisë publike MedAL dhe rolin e sipërmarrjes private në këtë proces.
Në aktivitetin “Shëndetësia drejt integrimit në BE 2030”, ku morën pjesë ekspertë të BE-së, përfaqësues të industrisë farmaceutike, komunitetit të biznesit dhe organizatave profesionale, Spahiu shpjegoi se MedAL synon të garantojë sigurinë dhe vazhdimësinë e furnizimit të institucioneve publike shëndetësore me barna, përmes koordinimit të fuqisë blerëse, planifikimit më të mirë të nevojave, menaxhimit të stokut dhe krijimit të rezervave strategjike.
“Për pacientin, rëndësi ka që bari i duhur të jetë i disponueshëm në kohën e duhur, me cilësinë e kërkuar dhe me një kosto të përballueshme për sistemin”, u shpreh ministrja.
Duke iu përgjigjur pikëpyetjeve mbi rolin e sektorit privat në skemën e re të furnizimit, Spahiu vlerësoi investimet dhe kapacitetet profesionale e logjistike të ndërtuara ndër vite nga sipërmarrja.
“Objektivi i reformës është përmirësimi i funksionimit të sistemit publik. Ekspertiza dhe kapacitetet e sipërmarrjes private janë pjesë e rëndësishme e këtij ekosistemi. Organizimi i ri i furnizimit duhet të mbështetet në transparencë, konkurrencë të ndershme, trajtim të barabartë, paanshmëri rregullatore dhe llogaridhënie”, theksoi Spahiu.
Ministrja sqaroi gjithashtu se autorizimi i tregtimit mbetet parimi themelor për vendosjen e barnave në treg, ndërsa mekanizmat e posaçëm të importit duhet të jenë përjashtime të argumentuara, duke respektuar kërkesat ligjore dhe standardet e cilësisë, sigurisë dhe gjurmueshmërisë.
Paketa e re ligjore përfshin katër projektligje:
Projektligjin për produktet mjekësore për përdorim njerëzor;
Projektligjin për pajisjet mjekësore;
Projektligjin për pajisjet mjekësore diagnostikuese in vitro;
Projektligjin për krijimin e shoqërisë publike MedAL.
Tre projektligjet e para synojnë përafrimin me standardet evropiane të cilësisë dhe sigurisë së barnave dhe pajisjeve mjekësore, forcimin e monitorimit të efekteve të padëshiruara të barnave, lehtësimin e aksesit në teknologjitë moderne dhe eliminimin e procedurave administrative të panevojshme.
“Suksesi i kësaj reforme do të matet me rezultatet në praktikë: aksesin në trajtime, sigurinë e produkteve, vazhdimësinë e furnizimit, besimin tek institucionet dhe përdorimin e përgjegjshëm të fondeve publike”, përfundoi ministrja Spahiu.









Komente
Komento