Siguronin dhe shpërndanin mjete për akte dhune në protesta, një 29-vjeçare u arrestua në Tiranë e dy persona u shpallën në kërkim. Operacioni “Distribution of Elements” u finalizua pas informatave në rrugë operative. Si provë materiale, blutë iu kapën koktej molotov, fishekzjarrë, tuba metalikë, kapsolla, maska kundërgaz, doreza, maska e kapele.
Siguronin dhe furnizonin me sende të kundërligjshme pjesëmarrësit në protestën e zhvilluar dje, me qëllim përdorimin e tyre për kryerjen e akteve të dhunshme, vihet në pranga një shtetase dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë.
Sekuestrohen 91 koktej molotov, 166 fishekzjarrë, 59 tuba metalikë, kapsolla, maska kundragaz dhe sende të tjera.
Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për sigurimin dhe shpërndarjen e sendeve të kundërligjshme, me qëllim përdorimin e tyre gjatë protestës së datës 28 nëntor, finalizoi operacionin policor të koduar “DISTRIBUTION OF ELEMENTS”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasja F. P., 29 vjeçe, e cila u lokalizua në rrugën “Qemal Stafa”, në një automjet tip “Fiat”.
Nga kontrolli i automjetit u gjetën dhe u sekuestruan 91 koktej molotov, 166 fishekzjarrë, 17 kapsolla, 59 tuba metalikë, 2 maska kundragaz, veshje të ndryshme, doreza, maska, kapele, 2 aparate celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 29-vjeçarja, në bashkëpunim me 2 shtetasit e tjerë, I. M., 28 vjeç dhe R. S., 39 vjeç, të cilët janë shpallur në kërkim, siguronin dhe shpërndanin sende të kundërligjshme, për t’ua vënë në dispozicion pjesëmarrësve në protestë, me qëllim përdorimin e tyre në akte të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore.
Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe përcaktimin e përgjegjësisë penale të secilit prej tyre.