‘Gjeta grup lojtarësh të jashtëzakonshëm’/ Rolando Maran tregon eksperiencën kuqezi: Hysaj, shumë profesionist. Shpendi? I bindur se do të ketë hapësira

29/11/2026 12:16

Rolando Maran mori drejtimin e kombëtares shqiptare vetëm përpara disa muajsh me misionin për të fituar grupin në Nations League, një mision që në fakt u përmbys.

Trajneri italian tregon eksperiencën e tij, për lumturinë që ndjeu pas ndeshjes me Bjellorusinë dhe këtë e bën në një intervistë për portalin fanpage.it.

Në videon që u bë virale pas një ndeshjeje në Shqipëri, ju falënderoni skuadrën. Ishte thjesht gëzimi për rezultatin e arritur?

‘Pak nga të dyja. Isha i lumtur jo vetëm që arritëm të merrnim rezultatin e dëshiruar, por edhe sepse e arritëm atë me meritë të plotë dhe me statistika mbresëlënëse. Gjeta një grup djemsh të jashtëzakonshëm, të cilët më mbështetën në punën time dhe u përpoqën të zbatonin gjithçka që u kërkoja. Ishte një ambient që kishte nevojë për një entuziazëm të ri dhe nuk ishte aspak një mision i lehtë. Fakti që arritëm t’i përfshinim të gjithë në këtë mënyrë më bëri të lumtur, sepse ndjeva se kisha rigjetur kënaqësinë e profesionit tim, gëzimin për të punuar dhe për të dhënë kontributin tim në drejtimin e një grupi lojtarësh’.

Kjo kënaqësi u shfaq edhe përtej dhomave të zhveshjes.

‘Zakonisht, momente të tilla mbeten brenda dhomave të zhveshjes. Nuk e di se kush e ka filmuar videon, por ishte diçka pozitive, sepse na dha mundësinë ta ndanim gëzimin tonë me tifozët. Luajtëm kundër Bjellorusisë, në fushë neutrale në Budapest dhe pa praninë e tifozëve në stadium. Ishte bukur që arritëm t’i përcillnim popullit shqiptar krenarinë për këtë sukses, pasi shqiptarët e duan jashtëzakonisht shumë Kombëtaren’.

A ishte i vështirë impakti i parë me një Kombëtare?

‘Mbërrita me shumë entuziazëm dhe me bindjen se mund të lija gjurmën time, edhe pse e dija se kishte vështirësi dhe se në drejtimin e një përfaqësueseje kishte faktorë të ndryshëm nga ata të një klubi. Në grumbullimin e parë të qershorit, lojtarët ishin bashkuar me skuadrën vetëm pesë ose gjashtë ditë para ndeshjeve. Në njëfarë mënyre, isha thjesht spektator. Bëra disa gjëra që sot nuk do t’i përsërisja, por ajo përvojë më shërbeu si një shkollë e mirë. Më ndihmoi të kuptoja se cilat duhej të ishin prioritetet e mia’.

Ju erdhët pas Sylvinhos, në një skuadër që tashmë kishte krijuar identitetin e saj. Cila ishte ideja juaj e parë?

‘Nuk dua të bëj krahasime. I vendosa vetes objektivin për të qenë një trajner që kërkon lojë sulmuese, për të luajtur ndeshjet dhe për t’u krijuar vështirësi kundërshtarëve. Doja një skuadër që të mendonte për të shënuar gola, pa e pasur aspektin mbrojtës si pikënisje, dhe që të ishte zot i fatit dhe i së ardhmes së vet’.

A e përvetësuan lojtarët menjëherë këtë mesazh?

‘Kjo ishte ajo që i tërhoqi më shumë. Ata u përpoqën që në fillim të përvetësonin këtë filozofi dhe kjo harmoni mes nesh solli rezultate të kënaqshme’.

Hysaj është një rast i veçantë: aktualisht pa skuadër, por protagonist me Kombëtaren.

‘Ka treguar një seriozitet të madh. Është paraqitur në ndeshje në gjendje shumë të mirë fizike dhe ka luajtur pesë nga gjashtë takimet nga 90 minuta. Ishte një zgjedhje e imja. Kjo dëshmon profesionalizmin e tij. Ka zhvilluar ndeshje të jashtëzakonshme dhe është përfshirë në formacionin më të mirë të Nations League. Më duket e pabesueshme që në këtë moment nuk ka mundësi të jetë pjesë e një klubi. Për profesionalizmin, gjendjen fizike dhe cilësitë teknike që zotëron, ai zhvilloi një edicion të jashtëzakonshëm në Nations League’.

Caprile ka nisur procedurat për pajisjen me pasaportë për arsye familjare. Është një çështje që mbetet e hapur?

‘Është ende herët për të folur për këtë. Ka një procedurë që duhet të përfundojë dhe nuk e di as sa kohë do të kërkojë. Nuk ka kuptim të flasim për situata që ende nuk janë konkretizuar’.

Po Shpendi? Te Cesena në Serinë B po bën paraqitje të mira, por konkurrenca në Kombëtare është e madhe.

‘Është një lojtar me perspektivë shumë të madhe dhe tashmë ka një rol të rëndësishëm në klubin e tij. Në Kombëtare përballet me shumë lojtarë që aktivizohen në Turqi dhe te Spartaku i Moskës, ndaj konkurrenca është e fortë. Jam i bindur se do t’i krijohen hapësirat e tij, sepse është në rritje të vazhdueshme dhe do të japë një kontribut të rëndësishëm’

Top Channel