E diel, 29 Nëntor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 19 minuta më parë
Sociale

Paketa e re ligjore në shëndetësi, ministrja Spahiu: Furnizim me ilaçe cilësore dhe kosto të përballueshme

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, prezantoi përpara grupeve të interesit paketën e katër projektligjeve të reja të shëndetësisë, të cilat synojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian dhe modernizimin e mënyrës së furnizimit të sistemit publik shëndetësor.

Në aktivitetin “Shëndetësia drejt integrimit në BE 2030”, me pjesëmarrjen e ekspertëve të BE që kanë kontribuar për paketën e projektligjeve, përfaqësuesve të industrisë farmaceutike, komunitetit të biznesit, institucioneve, organizatave profesionale dhe ekspertëve, ministrja Spahiu u ndal edhe në rëndësinë e krijimit të shoqërisë publike MedAL.

Krijimi i kësaj shoqërie synon forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së furnizimit të institucioneve publike shëndetësore, përmes koordinimit të fuqisë blerëse, planifikimit më të mirë të nevojave, menaxhimit të integruar të stokut dhe mundësisë për krijimin e rezervave strategjike.

“Për pacientin, rëndësi ka që bari i duhur të jetë i disponueshëm në kohën e duhur, me cilësinë e kërkuar dhe me një kosto të përballueshme për sistemin”, u shpreh ministrja Spahiu.

Reklamë

Duke iu adresuar pikëpyetjeve të ngritura, ministrja vlerësoi kontributin e sipërmarrjes private, investimet dhe kapacitetet profesionale e logjistike të ndërtuara ndër vite.

“Objektivi i reformës është përmirësimi i funksionimit të sistemit publik. Ekspertiza dhe kapacitetet e sipërmarrjes private janë pjesë e rëndësishme e këtij ekosistemi. Organizimi i ri i furnizimit duhet të mbështetet në transparencë, konkurrencë të ndershme, trajtim të barabartë, paanshmëri rregullatore dhe llogaridhënie”, theksoi Spahiu.

Ministrja sqaroi gjithashtu se autorizimi i tregtimit mbetet parimi themelor për vendosjen e barnave në treg, ndërsa mekanizmat e posaçëm të importit duhet të jenë përjashtime të argumentuara, në respektim të kërkesave ligjore dhe standardeve të cilësisë, sigurisë dhe gjurmueshmërisë.

Paketa e re ligjore përfshin katër projektligje:

Projektligjin për produktet mjekësore për përdorim njerëzor;

Projektligjin për pajisjet mjekësore;

Projektligjin për pajisjet mjekësore diagnostikuese in vitro;

Projektligjin për krijimin e shoqërisë publike MedAL.

Tre projektligjet e para synojnë forcimin e standardeve të cilësisë dhe sigurisë së barnave dhe pajisjeve mjekësore, rritjen e gjurmueshmërisë, forcimin e farmakovigjilencës, lehtësimin e aksesit në teknologjitë moderne dhe eliminimin e procedurave administrative të panevojshme.

“Filozofia jonë është të forcojmë standardet që mbrojnë qytetarin dhe të thjeshtojmë procedurat që nuk krijojnë vlerë”, deklaroi ministrja.

Spahiu nënvizoi rëndësinë e dialogut me grupet e interesit, duke theksuar se propozimet e argumentuara që lidhen me konkurrencën, sigurinë e furnizimit, investimet dhe zbatimin praktik të reformës do të analizohen gjatë procesit të konsultimit.

“Suksesi i kësaj reforme do të matet me rezultatet në praktikë: aksesin në trajtime, sigurinë e produkteve, vazhdimësinë e furnizimit, besimin tek institucionet dhe përdorimin e përgjegjshëm të fondeve publike”, përfundoi ministrja Spahiu.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.