Në Ditën e Çlirimit, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka zhvilluar homazhe në Varrezat e Dëshmorëve, ku ka nderuar të rënët për lirinë e Shqipërisë gjatë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.

Në një prononcim nga Varrezat e Dëshmorëve, Blushi vlerësoi sakrificën e heronjve dhe dëshmorëve, si dhe kontributin e familjeve të veteranëve, duke theksuar se vlerat e luftës dhe mbrojtja e lirisë duhet të përcillen brez pas brezi.

Ai e shfrytëzoi këtë ditë për të përcjellë edhe një mesazh politik, duke bërë thirrje për atë që e cilësoi si çlirimin e Shqipërisë nga një “juntë policore dhe sorosiane”.

“Pa sakrificat më sublime nuk ka liri. Ndaj, kjo ditë dhe mesazhi i kësaj dite, uroj të vijojë të frymëzojë të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë për çlirimin e Shqipërisë nga një juntë policore, nga një juntë sorosiane, e cila ka uzurpuar vendin dhe prej së cilës duhet të çlirohemi me çdo çmim dhe me çdo sakrificë”, u shpreh Blushi.

Në përfundim, ai shprehu mirënjohjen për të rinjtë që dhanë jetën për lirinë e vendit, si dhe për të gjithë heronjtë dhe dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb